Ministri i Jashtëm i Izraelit uron Ramën dhe Spiropalin: E vlerësojmë shumë miqësinë e gjatë midis dy kombeve tona

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Ministri i jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar i dërgoi mesazh urimi Kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Jashtme Elisa Spiropali, pas betimit në Presidencë dhe marrjes zyrtarisht të detyrave të tyre.
Ministri Sa’ar shkruan se Izraeli vlerëson miqësinë e gjatë midis kombeve tona dhe veçanërisht miqësinë e Kryeministrit Rama.
“I uroj ministres së re të Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, shumë suksese në rolin e saj të ri. Ne e vlerësojmë shumë miqësinë e gjatë midis kombeve tona dhe e vlerësojmë veçanërisht miqësinë e Kryeministrit Rama. Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të partneritetit tonë”, shkruan kryediplomati izraelit.
Një ditë pas miratimit në Kuvend të programit të ri qeverisës për katër vitet e ardhshme dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Edi Rama dhe 16 ministrat e rinj u betuan sot në Presidencë.
Nga korriku 2024 Spiropali ka mbajtur postin e kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë gjatë Legjislaturës X.
Prej janarit 2019 deri në korrik 2024, ka shërbyer si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke u riemëruar në mandatin e tretë qeverisës të Partisë Socialiste, në shtator 2021.
Para emërimit në detyrë si ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Spiropali ka mbajtur funksionin e nënkryetares së Grupit Parlamentar Socialist dhe të nënkryetares së Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, prej vitit 2017 deri në vitin 2019.
Wishing Albania’s new Minister for Europe and Foreign Affairs @elisaspiropali much success in her new role. We greatly value the long-standing friendship between our nations and we especially appreciate the friendship of PM @ediramaal.
I look forward to further strengthening our…— Gideon Sa’ar | גדעון סער (@gidonsaar) September 19, 2025
/gj.m/j.p/