E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ministri spanjoll i Transportit jep dorëheqje pas aksidentit tragjik hekurudhor ku humbën jetën 69 persona

schedule09:50 - 4 Nëntor, 2026

Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, ka dhënë dorëheqje, gjashtë ditë pas përplasjes së dy trenave të shpejtësisë së lartë, ku të paktën 69 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Puente e bëri të ditur vendimin e tij të martën në mbrëmje, gjatë një seance në Kongresin spanjoll, ku dha shpjegime për aksidentin e javës së kaluar pranë qytetit Urda, në jug të Madridit. Në këtë ngjarje, një tren u përplas nga prapa me një tren tjetër që qëndronte i ndalur në shina.

“Një ministër i Transportit në një vend si Spanja nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë pas dy aksidenteve të kësaj rëndësie brenda më pak se një viti”, deklaroi ai, duke iu referuar edhe aksidentit të janarit në të njëjtën linjë hekurudhore, ku humbën jetën 46 persona.

Aksidenti i fundit konsiderohet ndër fatkeqësitë më të rënda hekurudhore në historinë moderne të Evropës dhe më i rëndi në Spanjë që nga viti 2013.

Para njoftimit për dorëheqje, Puente kishte paraqitur në Kongres një sërë masash të reja për sigurinë hekurudhore, ndërsa ishte përballur me pyetje dhe kritika të shumta nga opozita.

Ai bëri të ditur gjithashtu se do të tërhiqej edhe nga listat e kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, transmeton Telegrafi.

Pozita e ministrit ishte vënë në pikëpyetje menjëherë pas aksidentit të 28 tetorit. Partia Popullore konservatore dhe partia e ekstremit të djathtë Vox, si dhe disa aleatë të qeverisë, kishin kërkuar largimin e tij.

Kritikët argumentonin se Puente duhej të merrte përgjegjësi për gjendjen e sistemit hekurudhor të shpejtësisë së lartë, siguria e të cilit është vënë në pikëpyetje pas aksidenteve të fundit. Edhe kryeministri socialist Pedro Sánchez kishte pranuar se besueshmëria e këtij sistemi ishte dëmtuar.

Opozita e kishte kritikuar ministrin edhe për deklaratat që linin të kuptohej se shkaku i aksidentit mund të ishte gabimi njerëzor, duke e akuzuar se po përpiqej të largonte vëmendjen nga përgjegjësitë e tij dhe të qeverisë.

Dorëheqja e Puentes ka ardhur në një moment të rëndësishëm për politikën spanjolle, pasi zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë caktuar për 29 nëntor. Disa vëzhgues e shohin aksidentin si një goditje të rëndë për qeverinë e udhëhequr nga socialistët dhe si një faktor që mund të ndikojë në rezultatin zgjedhor.

Kryeministri Sánchez e vlerësoi vendimin e ministrit, duke thënë se ai ishte përballur me situatën, kishte dhënë përgjigje dhe kishte propozuar zgjidhje, përpara se të largohej nga detyra.

“Për dinjitet. Me vullnetin e tij. Nga respekti për viktimat”, deklaroi Sánchez.

Ndërkohë, pyetjet për shkaqet e aksidentit vazhdojnë të mbeten në qendër të vëmendjes. Përplasja përfshiu një tren të operatorit shtetëror Renfe, me 397 pasagjerë në bord, dhe një tren të kompanisë private Iryo, i cili kishte 147 pasagjerë dhe ishte ndalur në shina.

Sipas raportimeve fillestare, një problem në sistemin automatik të sinjalizimit, i lidhur me një defekt kompjuterik, kishte detyruar trenat të ndalonin në segmentin përkatës të linjës.

Pas aksidentit, mediat spanjolle publikuan disa incizime audio të bisedave mes makinistëve dhe qendrës së kontrollit, të regjistruara vetëm pak minuta para përplasjes. Në to dëgjohen komunikimet mes operatorëve të qendrës së Madridit dhe drejtuesve të dy trenave.

Një prej incizimeve duket se tregon se makinistit të trenit të Renfes i ishte dhënë leje të vazhdonte udhëtimin, megjithëse treni tjetër kishte mbetur i ndalur në shina, rreth 25 kilometra përpara tij.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›