Fitore historike për pakicat në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA

schedule10:04 - 4 Nëntor, 2026
Zgjedhjet afatmesme të së martës në Shtetet e Bashkuara sollën një sërë rezultatesh historike, me disa kandidatë nga komunitetet e pakicave që fituan poste të rëndësishme shtetërore dhe federale.
Këto fitore u shënuan në një natë kur demokratët arritën rezultate të theksuara, ndërsa votuesit shprehën pakënaqësi ndaj mandatit të dytë të presidentit Donald Trump.
Në mesin e fituesve ishin guvernatorja e parë grua me ngjyrë, senatori i parë homoseksual që e ka deklaruar hapur orientimin e tij seksual dhe guvernatorja e parë grua me prejardhje nga popujt autoktonë amerikanë.
Bill Shiebler, drejtor i strategjisë në organizatën jofitimprurëse “State Voices”, një rrjet që promovon pjesëmarrjen qytetare dhe barazinë, tha për agjencinë e lajmeve AFP se rezultatet përfaqësonin “një kundërshtim të fuqishëm ndaj urrejtjes dhe përçarjes”.
“Po shohim një elektorat që gjithnjë e më shumë e sheh veten te udhëheqësit e tij dhe te njerëzit që vijnë nga komunitetet të cilat ata tashmë i përfaqësojnë”, tha Shiebler, duke shtuar se kjo është pjesë e funksionimit të një demokracie shumetnike dhe jo thjesht një rastësi e pazakontë.
Në shtetin jugor të Xhorxhias, demokratja Keisha Lance Bottoms fitoi garën për guvernatore, duke u bërë gruaja e parë me ngjyrë që zgjidhet në krye të një shteti amerikan. Ish-kryetarja e bashkisë së Atlantës mposhti miliarderin dhe drejtuesin e sektorit të kujdesit shëndetësor, Rick Jackson. Fitorja e saj ua rikthen demokratëve postin e guvernatorit në Xhorxhia, pas më shumë se dy dekadash të kontrollit republikan.
Ndërkohë, demokrati Chris Pappas fitoi garën në New Hampshire, duke u bërë burri i parë homoseksual që do të shërbejë në Senatin amerikan. Ai është pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve që nga viti 2019.
“Askush nuk duhet të diskriminohet për shkak të asaj se kush është apo kë dashuron”, kishte deklaruar Pappas në faqen e tij zyrtare.
Një tjetër fitore historike u shënua në New Mexico, ku demokratja Deb Haaland u zgjodh guvernatorja e parë grua me prejardhje nga popujt autoktonë amerikanë. Ajo mposhti republikanin Gregg Hull.
Haaland, anëtare e fisit Laguna Pueblo, më parë kishte shërbyer si sekretare e Brendshme në administratën e ish-presidentit Joe Biden. Në këtë detyrë, ajo ishte bërë personi i parë me prejardhje nga popujt autoktonë amerikanë që drejtonte një departament në kabinetin presidencial të SHBA-së.
Në Michigan, demokrati i krahut të majtë Abdul El-Sayed zhvilloi një garë të ngushtë dhe me vëmendje të madhe publike, duke synuar të bëhej myslimani i parë i zgjedhur në Senatin amerikan.
Ish-administratori në sektorin e shëndetësisë tërhoqi turma të mëdha gjatë fushatës në të gjithë shtetin, duke premtuar se kujdesi shëndetësor do të bëhej falas.
Rezultatet e zgjedhjeve sollën edhe arritje të tjera në nivel shtetëror. Në Teksas, Gina Hinojosa u bë guvernatorja e parë latine pas fitores së saj.
Ndërkohë, nëse udhëheqësi aktual i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, zgjidhet në postin e kryetarit të kësaj dhome, siç pritet, ai do të bëhet personi i parë me ngjyrë që e mban këtë detyrë në historinë e Shteteve të Bashkuara.
“Ky ishte një proces zgjedhor historik, në të cilin njerëzit vendosën të besojnë te vetja dhe te shpresa për të ardhmen e këtij vendi, duke kundërshtuar përpjekjet për t’ua mbyllur zërin”, përfundoi Shiebler.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

