Ministria e Shëndetësisë: 12 të lënduar në aksidentin Tiranë-Durrës, 7 në gjendje të rëndë

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale ka bërë të ditur sot se në Spitalin Universitar të Traumës aktualisht po marrin trajtim 12 persona të lënduar nga aksidenti i ndodhur në autostradën Tiranë–Durrës, prej të cilëve 7 ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas njoftimit zyrtar, mes të lënduarve ndodhen edhe një fëmijë dhe një i mitur.
Ministria konfirmon gjithashtu se një prej pasagjerëve ka mbërritur në spital pa shenja jete.
Aksidenti ndodhi mesditën e së martës në aksin Tiranë–Durrës, ku një minibus i linjës Berat–Tiranë doli nga rruga dhe u përmbys.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e Policisë së Shtetit, ekipet e zjarrfikëses dhe autoambulancat, të cilat ndërhynë për dhënien e ndihmës së parë dhe nxjerrjen e pasagjerëve nga mjeti i përfshirë në aksident.
/gj.m/r.e/