Ministrja Sala: Pëmirësojmë sektorin farmaceutik, tolerancë zero ndaj abuzimit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi një takim me Unionin e Biznesit të Farmaceutikës, ku theksoi angazhimin e përbashkët për garantimin e aksesit të sigurt dhe të kontrolluar në barna për qytetarët shqiptarë.
Në fokus të diskutimit ishte jo vetëm sigurimi i furnizimit të vazhdueshëm me barna, por edhe forcimi i standardeve të cilësisë dhe transparencës në sektor. Ministrja Sala deklaroi se do të ngritet një grup pune për të analizuar dhe përmirësuar sektorin farmaceutik, me qëllim krijimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për pacientët.
Jemi të vetëdijshëm që sektori ka sfida e nevoja për përmirësime. Do të ngrejmë një grup pune për të analizuar e përmirësuar sektorin e farmaceutikës, për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit për pacientët,” tha ministrja, duke paralajmëruar tolerancë zero ndaj abuzuesve.
Takimi me Unionin e Biznesit të Farmaceutikës vjen një ditë pas mbledhjes që ministrja Sala zhvilloi me Shoqatën e Përfaqësive Farmaceutike, në kuadër të një bashkëpunimi afatgjatë dhe produktiv, ku zëri i industrisë dëgjohet dhe përfshihet në proceset e politikëbërjes dhe vendimmarrjes.
Përmes bashkëpunimit me industrinë e farmaceutikës, synohet përmirësimi i politikave të barnave, si dhe rritja e eficiencës dhe transparencës në çdo hallkë të zinxhirit të furnizimit.
Qëllimi afatgjatë është krijimi i një ekosistemi të qëndrueshëm farmaceutik, ku inovacioni, cilësia dhe përgjegjshmëria ecin krah për krah në shërbim të shëndetit publik.
/rtsh.al/