E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Sala: Shqipëria po ndërton një sistem shëndetësor më modern e të qëndrueshëm

Shqipëria është e angazhuar për të ndërtuar një sistem shëndetësor më të fortë, më modern dhe më të qëndrueshëm për qytetarët. Kështu deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, gjatë fjalës së saj në sesionin e 79-të të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë.

“Ne po punojmë për një sistem shëndetësor që i përgjigjet sfidave të kohës, duke e bërë më të aksesueshëm, më cilësor dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët,” tha Sala.

Ministrja theksoi se sot sistemet shëndetësore në mbarë botën përballen me sfida të ndërlidhura, nga plakja e popullsisë dhe rritja e sëmundjeve kronike, te emergjencat shëndetësore, ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe transformimi digjital.

“Këto zhvillime tregojnë qartë se shëndeti nuk mund të trajtohet i ndarë nga zhvillimi social, ekonomik dhe siguria publike,” u shpreh ajo.

Duke folur për prioritetet e Shqipërisë, Sala nënvizoi forcimin e kujdesit parësor, me fokus te shërbimet më pranë qytetarëve, diagnostikimi i hershëm dhe menaxhimi i sëmundjeve kronike.

“Në Ditën Botërore të Mjekut të Familjes, dua të shpreh mirënjohjen për kontributin dhe përkushtimin e mjekëve të familjes që shërbejnë në të gjithë vendin,” tha ministrja.

Një tjetër drejtim është transformimi digjital i sistemit shëndetësor, përmes zgjerimit të shërbimeve elektronike dhe përdorimit të të dhënave për politika më efikase.

“Po ndërtojmë një sistem më transparent dhe më të shpejtë për qytetarët,” theksoi Sala.

Ajo shtoi se investimet në modernizimin e infrastrukturës spitalore dhe forcimin e kapaciteteve të personelit shëndetësor janë thelbësore.

“Kapitali njerëzor është elementi më i rëndësishëm i sistemit tonë të shëndetit,” u shpreh ministrja, duke nënvizuar edhe rritjen e kapaciteteve për reagim ndaj emergjencave shëndetësore.

Sala vlerësoi bashkëpunimin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe nismat rajonale që forcojnë solidaritetin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Në një kohë pasigurish globale, bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet thelbësor. Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë për sisteme shëndetësore më të forta, më të drejta dhe më të qëndrueshme për të gjithë,” përfundoi ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›