E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Sala në Qendrën Kombëtare të Urgjencës: Zemra e sistemit shëndetësor. Brataj: Synojmë përfshirjen e Universitetit

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, zhvilloi një vizitë në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ku u njoh nga afër me punën e ekipeve që operojnë 24 orë në shërbim të qytetarëve. Ajo vlerësoi rolin jetik që kjo qendër ka në sistemin shëndetësor.

“Urgjenca është zemra e sistemit shëndetësor. Sa më mirë të menaxhohet sistemi, aq më shumë jetë shpëtohen,” deklaroi ministrja Sala gjatë vizitës.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, prezantoi funksionimin e njësisë së koordinimit, të cilën e cilësoi si “trurin” e institucionit. Ai shpjegoi se thirrjet e para i marrin infermierët, ndërsa tre mjekë të specializuar japin vlerësimin e parë profesional përmes telefonit.

Brataj theksoi se Qendra ka trajnuar mbi 10 mijë persona nga e gjithë Shqipëria dhe njoftoi se një qendër e ngjashme po përgatitet të hapet edhe në qytetin e Vlorës.

“Njësia e koordinimit, që është edhe truri i këtij institucioni, thirrjen e parë e marrin infermieret  dhe kemi edhe tre mjekë që japin konsonancën e parë në telefon. Këtu mbi 10 mijë veta janë trajnuar nga e gjithë Shqipëria dhe një qendër si kjo po e përgatisim edhe në Vlorë”, tha Brataj.

Ai u ndal gjithashtu te rëndësia e bashkëpunimit akademik.

“Synojmë përfshirjen e Universitetit, pasi këtu punojnë instruktorë të fushave të ndryshme që zhvillojnë kurse ndërkombëtare të certifikuara nga Amerika dhe Evropa.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›