Minxhozi: Pagesat direkte me Evropën, brenda pak muajve

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Pagesat ndërkufitare në kuadër të skemës SEPA, për individë e biznese nga dhe drejt Shqipëri–Evropës, nisin në muajin tetor 2025.
Zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, në një intervistë për mediet tha se, “Pagesat direkte me Evropën, nisin brenda pak muajve. Tashmë e gjithë infrastruktura ligjore dhe operacionale ka marrë zgjidhje, dhe zgjidhja për Shqipërinë, si pjesë e rajonit, është bërë përmes një kloni teknologjik të ofruar nga Banka e Italisë”.
Sipas saj, në këtë proces ka ndihmuar Banka e Italisë nëpërmjet bankës qendrore.
“Ne nuk kemi të drejtë ende, pasi nuk jemi anëtarë të BE-së, të marrim pjesë direkt në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë sistem. Nga ana tjetër, ligjërisht jemi gati për t’u lidhur me këtë sistem. Në këtë proces na ka ndihmuar Banka e Italisë nëpërmjet bankës qendrore, sepse Banka e Italisë është zotëruese e këtij tipsi dhe ka nxjerrë një klon të këtij tipsi një klon teknologjik, i cili është vënë në dispozicion të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Minxhozi.
Sipas zëvendësguvernatores së parë, Minxhozi, pjesëmarrja në skemat SEPA do të sjellë përfitime të ndjeshme për konsumatorin dhe biznesin shqiptar, përmes uljes të kostos së transfertave dhe zgjerimit të aktivitetit ekonomik.
Nga ana tjetër, vuri në dukej ajo, futja në sistemin SEPA është arritur dhe ndikon edhe në rritjen e besimit ndaj sistemit bankar shqiptar.
“Anëtarësimi institucional në SEPA na ka hequr këtë stigmë institucionale. Ne sot i kemi të gjitha instrumentet për të treguar se pagesat tona janë ligjore, formale dhe në përputhje me të gjitha aktet e Bashkimit Europian”, theksoi Minxhozi.
/a.f/