E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen zonat prioritare në Pukë, Lezhë dhe Bulqizë, Demo: 500 aplikime deri tani për Paketën e Maleve

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Qeveria miratoi sot përfshirjen në Paketën e Maleve edhe të tri bashkive të tjera: Pukë, Lezhë dhe Bulqizë, duke zgjeruar më tej këtë nismë për zhvillimin e zonave malore.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, bëri të ditur për mediet, pas mbledhjes së qeverisë, se tashmë më shumë se gjysma e bashkive në vend janë pjesë e kësaj pakete, duke pasur të miratuara zonat prioritare për zhvillim.

Ai informoi se numri i kërkesave të paraqitura nga territori në kuadër të Paketës së Maleve ka arritur në rreth 500, çka tregon interes të lartë nga qytetarët dhe bizneset.

Sipas Demos, disa bashki janë në fazën përfundimtare të shqyrtimit të kërkesave, si Shkodra dhe Skrapari, të cilat po përmbyllin afatin 45-ditor të shqyrtimit. Pas kësaj faze, kërkesat do të kalojnë për miratim në këshillat bashkiakë përkatës.

Sipas tij, zbatimi i Paketës së Maleve pritet të ketë një ndikim të konsiderueshëm pozitiv në zhvillimin ekonomik të territorit.

“Objektivi i qeverisë është që deri në fund të vitit 2026 të arrihen rreth 1000 aplikime, të cilat do të përkthehen në investime të drejtpërdrejta nga qytetarët në zonat përkatëse”, tha ai.

Demo bëri të ditur se vlera fillestare e këtyre investimeve parashikohet të jetë të paktën 50 milionë euro, kryesisht në zonat e thella, por edhe në zona të tjera me prioritet zhvillimin e turizmit.

Ai theksoi se këto investime do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit dhe në ndryshimin e dinamikës ekonomike të zonave përfituese.

Ministri e cilësoi Paketën e Maleve si një mekanizëm të domosdoshëm për zhvillimin lokal, duke shtuar se ajo synon të nxisë iniciativa konkrete dhe të qëndrueshme në komunitetet vendore.

Paketa e Maleve konsiderohet një nismë prioritare e qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të territoreve malore, duke synuar nxitjen e investimeve, zhvillimin ekonomik lokal dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetet në këto zona.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, foto: Andrin Hoxha 1 nga 3

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›