Miratohet ndërtimi i centralit fotovoltaik në Kolonjë

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në fshatin Taç Lartë, Bashkia Kolonjë, Qarku Korçë.
Centrali do të ndërtohet nga shoqëria “Fortis Energy and Construction” sh.p.k. me kapacitet të instaluar: 62MW.
Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Afati i operimit të centralit është 49 vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Sipas vendimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme, me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit.
Shoqëria ndërtuese ka detyrimin të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik.
Po ashtu, shoqëria duhet të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare, të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës.
Shoqëria ka detyrimin t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit ai dhe të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.