E Martë, 3 Nëntor 2026

HAGË – Trump: Zhvillova një takim shumë të këndshëm me Zelensky në samitin e NATO-s

HAGË, 25 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se takimi i tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në samitin e NATO-s “nuk mund të kishte qenë më i këndshëm”.

Kur u pyet gjatë një konference për shtyp pas samitit – lidhur me takimin e tij me udhëheqësin ukrainas – Trump tha se kishte qenë “shumë i këndshëm”, duke pranuar se “ndonjëherë kishin pasur situata pak të vështira”.

Trump dhe Zelensky patën një përplasje gjatë një takimi të tensionuar dhe publik në Zyrën Ovale në shkurt, të transmetuar drejtpërdrejt – kur presidenti i SHBA-së akuzoi Ukrainën se “po luante me Luftën e Tretë Botërore”.

Pas këtij takimi, Uashingtoni pezulloi përkohësisht ndihmën ushtarake për Ukrainën, përfshirë shërbimin e inteligjencës – ndërsa marrëveshja për mineralet fillimisht mbeti e pa nënshkruar.

Marrëdhëniet duket se janë përmirësuar që atëherë, pasi Trump dhe Zelensky u takuan kokë më kokë në funeralin e Papa Françeskut, në prill.

Ndryshe nga samiti i vitit të kaluar, Zelensky nuk u ftua të merrte pjesë në konsultimet zyrtare me udhëheqësit, por vetëm iu bashkua ngjarjeve në periferi – në atë që besohet se pasqyron kundërshtimin e SHBA-së ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Në një postim në X, Zelensky e përshkroi takimin si “të gjatë dhe thelbësor”, duke thënë se më shumë detaje do të vijonin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›