Miratohet rregullorja për përdorimin e hapësirave publike, ministri Demo: Përparësi kanë qytetarët

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, njoftoi miratimin e rregullores së re për përdorimin e hapësirave publike, e cila synon unifikimin e praktikave në të gjitha bashkitë e vendit dhe vendosjen e rregullave të qarta për qytetarët dhe bizneset. Ai bëri me dije se rregullorja është konsultuar gjerësisht me pushtetin vendor, ndërsa theksoi se prioritet mbeten qytetarët, veçanërisht në rastet kur hapësirat publike janë të kufizuara.
Demo: Kemi miratuar rregulloren për përdorimin e hapësirave publike. Rregullorja do të sjellë risi për sa i përket një unifikimi të të gjitha praktikave, ne do të kemi rregulla të qarta për sa i përket mënyrës së si do të përdoren hapësirat publike. Akti është konsultuar gjerësisht, bashkitë kanë qenë pjesë e miratimit të kësaj rregulloreje. Zgjidhja është shumë e qartë. Përparësi kanë qytetarët. Kjo është e mbështetur nga të gjithë qytetarët. Ajo çfarë bën rregullorja është që vendos disa parametra në nivel kombëtar. Subjektet të cilat duan të ushtrojnë një aktivitet të caktuar duhet të plotësojnë standarded.
Demo bëri të ditur se vijon zbatimi i “Paketës së Maleve”, ku katër bashki të tjera, Saranda, Kuçova, Gramshi dhe Tropoja, kanë miratuar zonat prioritare për zhvillim. Sipas tij, interesi për investime është në rritje, me mbi 500 aplikime të regjistruara në të gjithë vendin, ndërsa pritet që edhe bashki të tjera të përfundojnë së shpejti procesin e miratimit të këtyre zonave.
Demo: Kemi pasur katër bashki të reja që kanë miratuar zonat prioritae. Sarandë, Kuçovë, Gramsh dhe Tropojë. Vazhdojmë të ecim me bashkitë që miratojnë zonat e tyre prioritare. Tashmë numri i aplikimeve në territor është edhe më i madh, i ka kaluar 500 aplikime. Edhe në javët në vijim kemi një sërë bashkish që janë drejt përfundimit të miratimit të zonave prioritare.
Sa i përket reformës territoriale, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, u shpreh se po shqyrtohen modele të ndryshme, ndërsa ende nuk ka një qëndrim përfundimtar nga mazhoranca. Ai theksoi se procesi duhet të vijojë duke iu përshtatur specifikave dhe sfidave që ka Shqipëria.
Demo: Janë diskutuar modele të ndrsyhme. Nuk ka një qëndrm nga PS. Ne besojmë se duhet të ecim përpara me procesin. Është normale që të gjithë jemi duke analizuar modele të ndryshme. Ne i referohemi më shumë specifikave që ka Shqipëria dhe sfidave që kemi përpara.