E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet udhëzimi që i hap rrugën nisjes së rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, afati deri në fund të 2026-ës

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe drejtorja e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, miratuan udhëzimin për përcaktimin e procedurave të zbatimit të ligjit “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, duke detajuar rregullat për llogaritjen e bazës së tatueshme, paraqitjen dhe administrimin e kërkesës për rivlerësim, pagesën e tatimit përkatës, si dhe pasqyrimin e rivlerësimit në regjistrat e pasurive të paluajtshme dhe transferimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Udhëzimi, i publikuar sot në Fletoren Zyrtare, përcakton se të gjithë individët që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, të regjistruara ose që regjistrohen deri më 31 dhjetor 2026, kanë të drejtë të kryejnë rivlerësimin e tyre me vlerën e tregut brenda afateve të parashikuara në ligj, përfshirë edhe rastet kur pasuria është rivlerësuar më parë.

Rivlerësimi mund të kryhet pranë drejtorive vendore të ASHK-së mbi bazën e çmimeve minimale fiskale në fuqi, ose përmes një eksperti të licensuar të vlerësimit, me kusht që vlera e përcaktuar të mos jetë më e ulët se çmimi minimal fiskal. Në të dyja rastet, baza e tatueshme llogaritet si diferencë midis vlerës së rivlerësuar dhe vlerës së fundit të regjistruar për të cilën është paguar tatim.

Tatimi mbi rivlerësimin për individët është 5% e bazës së tatueshme dhe duhet të paguhet përpara pasqyrimit të rivlerësimit në regjistrat kadastralë. Udhëzimi përcakton gjithashtu tarifat e shërbimit që aplikohen nga ASHK-ja, në varësi të shumës së tatimit të llogaritur.

Aplikimi për rivlerësim kryhet në mënyrë elektronike përmes portalit qeveritar “e-Albania” dhe shqyrtohet nga drejtoria vendore përkatëse, e cila verifikon identifikimin e pasurisë dhe legjitimitetin e aplikuesit, përpara se të gjenerojë faturën për arkëtim.

Pas konfirmimit të pagesës së tatimit dhe tarifës së shërbimit, ASHK-ja ka detyrimin të pasqyrojë rivlerësimin në regjistrat e pasurive të paluajtshme brenda pesë ditëve, duke shënuar datën e rivlerësimit, shumën përkatëse dhe referencën arkivore. Data e rivlerësimit konsiderohet data e pagesës së tatimit.

Për pasuritë që nuk janë regjistruar më parë, rivlerësimi kryhet vetëm pas përfundimit të regjistrimit fillestar, sipas legjislacionit në fuqi për kadastrën.

Udhëzimi parashikon edhe procedurat për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme të personave juridikë, të cilët kanë të drejtë të rivlerësojnë aktivet e regjistruara në pasqyrat financiare të vitit 2025, kur vlera kontabël është më e ulët se vlera e tregut.

Rivlerësimi kryhet nga ekspertë të licencuar dhe tatimi 5% llogaritet mbi diferencën midis vlerës së rivlerësuar dhe vlerës kontabël. Pagesa kryhet në llogaritë përkatëse të Thesarit dhe pasqyrohet në sistemin financiar sipas kodeve të përcaktuara.

Të ardhurat nga tatimi i rivlerësimit transferohen në buxhetin e shtetit sipas procedurave të përcaktuara, ndërsa drejtoritë vendore të ASHK-së dhe drejtoritë rajonale tatimore ngarkohen me detyrimin për administrimin, arkëtimin dhe rakordimin e tyre periodik.

Udhëzimi përcakton gjithashtu procedurat për kthimin e shumave të paguara gabim, si dhe saktëson se, në rast të kalimit të së drejtës së pronësisë mbi një pasuri të rivlerësuar, tatimi mbi fitimin do të llogaritet mbi diferencën midis çmimit të shitjes dhe vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi përkatës.

Aplikimet për rivlerësim që paraqiten deri më 31 dhjetor 2026 do të pranohen, ndërsa procedurat mund të përfundojnë edhe pas kësaj date, me kusht që pagesa e tatimit të kryhet brenda 31 marsit 2027.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›