Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar nga pickimet, sidomos nga fermerët: Mos neglizhoni masat mbrojtëse

Me rritjen e temperaturave dhe kalimin e më shumë kohë në ambiente të hapura, shtohet edhe rreziku nga pickimet e insekteve dhe zvarranikeve. Sipas mjekes Lavdie Hoxha, pranë qendrave shëndetësore në Përmet deri tani janë paraqitur vetëm disa raste sporadike të personave të prekur nga pickimet e insekteve.
Mjekët këshillojnë qytetarët të tregojnë kujdes të veçantë, pasi pickimet mund të shkaktojnë reaksione të ndryshme alergjike dhe shqetësime shëndetësore.
“Në këto raste duhet të kenë kujdes. Gjatë kësaj periudhe, ata që kanë alergji mund të mbajnë edhe medikamente me vete. Gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur raste fare të rënda; rastet kanë kaluar mirë. E para, duhet të lidhet vendi aty ku është pickuar dhe duhet të bëhet një incizion në vendin ku është pickuar, si dhe duhet të shtrydhet”, tha mjekja.
Edhe pse situata në Përmet paraqitet e qetë dhe me raste të izoluara, specialistët e shëndetësisë u bëjnë thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë masat mbrojtëse ndaj pickimeve të insekteve, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta të verës.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/