Siguria në sistemin e drejtësisë, Komisioni parlamentar kërkon model të integruar dhe protokolle të reja

Siguria në gjykata dhe prokurori nuk duhet të trajtohet më si një çështje episodike apo thjesht infrastrukturore, por si një komponent themelor i shtetit të së drejtës. Ky ishte konkluzioni i seancës dëgjimore të zhvilluar nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku drejtuesit e institucioneve të drejtësisë ekspozuan sfidat kritike me të cilat përballen çdo ditë.
Gjatë tryezës së zhvilluar në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), u evidentua se shumë godina të drejtësisë nuk janë projektuar për funksione gjyqësore, duke shkaktuar vështirësi në kontrollin e aksesit dhe ndarjen e qarkullimit. Përtej infrastrukturës, u ngrit shqetësimi për burimet njerëzore:
Niveli i pagave për personelin e sigurisë është i pamjaftueshëm, duke çuar në vështirësi serioze për rekrutimin e stafit të kualifikuar.
Për shkak të kushteve, mosha mesatare e punonjësve të sigurisë është e lartë, çka kufizon kapacitetet operative.
Punonjësit e sigurisë në hyrje shpesh nuk kanë akses në informacionin e nevojshëm për të vlerësuar nivelin e rrezikshmërisë së personave që hyjnë në institucion.
Propozimet e krerëve të gjykatave
Drejtuesit e institucioneve gjyqësore parashtruan një sërë zgjidhjesh për të kaluar nga një qasje “reaktive” në një model “parandalues”:
“Salla e gjyqit nuk mund të funksionojë me prani të zakonshme policore. Nevojitet ngritja e një strukture të posaçme sigurie, të ngjashme me modelin e marshalleve në sistemin amerikan,” theksoi Ardian Dvorani, Kryetar i Gjykatës së Apelit Administrativ.
Nga ana tjetër, Kryetari i GJKKO, Erjon Bani, bëri thirrje për një rol më aktiv të Këshillave dhe ndarje funksionale të qarkullimit brenda godinave, ndërsa Iliba Bezati, Kryetare e Gjykatës së Apelit Tiranë, nënvizoi se përtej detektorëve të sigurisë, nevojiten mekanizma praktikë për garantimin e efektivitetit.
Hapat e ardhshëm parlamentarë
Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, siguroi se problematikat e ngritura do të shërbejnë si bazë për finalizimin e një projekt-rezolute. Ky dokument do të përcaktojë masa konkrete, afatshkurtra dhe afatgjata, me objektiva dhe afate të qarta për:
Unifikimi i protokolleve të sigurisë në të gjithë vendin.
Vlerësimi i vazhdueshëm i riskut në çdo institucion.
Realizimi i nismës për “Polin e Drejtësisë” si zgjidhje afatgjatë për standardet e sigurisë.
Komisioni do të vijojë procesin parlamentar për të garantuar që sistemi i drejtësisë të funksionojë në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm.
/rtsh.al/