E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku Temali: Stresi kronik, një nga rreziqet kryesore për zemrën. Shenjat që nuk duhen neglizhuar

Stresi kronik përbën një nga rreziqet më serioze dhe më pak të dukshme për shëndetin e zemrës, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e organizmit dhe duke rritur rrezikun për sëmundje kardiovaskulare. Kështu shprehet mjeku kardiolog, Indrit Temali, në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, i cili shpjegon se stresi nuk është gjithmonë i njëjtë dhe as me të njëjtin ndikim në shëndet.

“Së pari, duhet të bëjmë dallimin mes dy llojeve të stresit: stresit akut dhe stresit kronik.Stresi akut lidhet me situata të papritura dhe të forta, siç janë fatkeqësitë natyrore, për shembull tërmetet. Ky lloj stresi vepron si një nxitje e menjëhershme dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin kardiovaskular”, shpjegon Temali.

Ndryshe nga stresi akut, ai kronik zhvillohet gradualisht dhe shpesh kalon pa u vënë re, por pasojat e tij janë afatgjata dhe serioze. Sipas kardiologut, stresi kronik shkaktohet nga një sërë faktorësh të përditshëm.

“Ambienti jo i përshtatshëm në punë ose në familje, një nivel socio-ekonomik i ulët, pasiguria në vendin e punës, vështirësitë financiare, izolimi social, diskriminimi, lodhja e tepërt dhe ezaurimi mendor janë disa nga faktorët kryesorë që çojnë në stres kronik”, thekson Temali.

Ky lloj stresi ndikon drejtpërdrejt në organizëm përmes trurit dhe sistemit nervor, duke aktivizuar mekanizma që dëmtojnë ekuilibrin e trupit.

“Ekzistojnë disa qendra nervore që nxisin një përgjigje të organizmit, e cila është hemodinamike. Kjo do të thotë se rriten rrahjet e zemrës dhe presioni i gjakut, duke shtuar nevojën për oksigjen për punën e zemrës në njësi kohe”, shpjegon ai.

Sipas mjekut, stresi kronik shoqërohet gjithashtu me rritje të parametrave inflamatorë dhe ulje të imunitetit, çka e mban organizmin në një gjendje të vazhdueshme tensioni.

“Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kemi ngushtime apo bllokime kronike të enëve të gjakut të zemrës, por kemi një prishje të balancës mes kërkesës dhe ofertës së oksigjenit. Zemra kërkon më shumë oksigjen sesa mund të furnizohet”, paralajmëron mjeku.

Sipas tij, kjo gjendje mund të çojë në pasoja serioze shëndetësore. “Në këto kushte, rreziku për ngjarje kardiake si ishemia, infarkti i miokardit apo aritmitë rritet ndjeshëm,” përfundon kardiologu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›