E Martë, 3 Nëntor 2026

Modernizimi i sistemit doganor ASYCUDA, hap drejt standardeve të BE-së

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, i cili po zhvillon një vizitë pune në Zvicër, u prit nga përfaqësues të UNCTAD (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim), për të diskutuar mbi përmirësimet më të fundit të sistemit doganor ASYCUDA.

ASYCUDA është një platformë moderne dhe e avancuar që përdoret nga mbi 100 vende në mbarë botën, përfshirë edhe Shqipërinë.

Ky sistem ndihmon në përpunimin më të shpejtë dhe më të sigurt të dokumenteve doganore dhe është një hap i rëndësishëm për të bërë administratën doganore më të përparuar dhe më të gatshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit me përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, u fol për disa tema me rëndësi, si përshtatja me rregullat evropiane, rritja e transparencës dhe shpejtësisë në procedurat doganore dhe përdorimi i teknologjisë për të bashkëpunuar më mirë me sistemet e tjera shtetërore.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mbetet e angazhuar për të ecur hap pas hapi me zhvillimet teknologjike globale, duke ndërtuar një administratë moderne, transparente dhe të sigurt, në shërbim të tregtisë dhe integrimit evropian.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›