E Martë, 3 Nëntor 2026

Mikrofinanca, BSH: Niveli i kredive me probleme zbriti në 12,5%

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, niveli i kredive me probleme për sektorin mikrofinanciar, në fund të vitit 2024 shënoi rënie në 12,05%, nga 13,9% që ishte vitin e kaluar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se përmirësimi i këtij treguesi i adresohet rritjes së kreditimit dhe daljes nga tregu të dy institucioneve mikrofinanciare (portofolet e të cilave ishin tërësisht nga kredia me probleme), pas revokimit vitin e kaluar të licencave të tyre nga BSH, pasi aksionarët e tyre u dërguan nga Prokuroria e Tiranës për gjykim për shkelje ligjore në procesin e mbledhjes së kredive me probleme.

Institucionet e mikrofinancës disbursuan 58,7 miliardë lekë kredi, në fund të 2024-s, sipas Bankës së Shqipërisë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kreditimi mikrofinanciar u rrit me 5 miliardë lekë ose 9,5%.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kredia e dhënë nga mikrofinanca, përbën rreth 7% të totalit të portofolit të huadhënies për ekonominë.

Me fokus kryesor financimin e segmenteve që kanë qasje më të vogël ndaj bankave, (sektori rural) vitet e fundit mikrofinanca e ka zgjeruar kreditimin edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë kryesisht në agroturizëm, shërbime etj.

/e.xh//r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›