E Martë, 3 Nëntor 2026

AmCham: Turizmi në rritje, sfidë mbetet mungesa e ujit dhe e stafit të kualifikuar

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ngriti sot shqetësime lidhur me disa probleme kyçe që, sipas tyre, po ndikojnë sezonin turistik, duke përfshirë mungesën e ujit të pijshëm, keqmenaxhimin e ujërave të zeza, djegien e mbetjeve në landfille, si dhe vijimin e aktiviteteve të ndërtimit gjatë sezonit turistik.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediet, Dhoma thekson se këto çështje po ndikojnë jo vetëm në funksionimin e strukturave akomoduese, por edhe në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe turistëve në zonat bregdetare.

“Ne vlerësojmë ndikimin pozitiv të aktivitetit turistik në ekonominë shqiptare, rritjen e investimeve private në strukturat e reja akomoduese dhe tendencën në rritje të fluksit të turistëve të huaj”, thuhet në deklaratën e Dhomës.

Megjithatë, në mbështetje të këtij sektori, Dhoma Amerikane e Tregtisë sjell në vëmendje disa sfida që po përballen anëtarët e saj në këtë fillim sezoni. Sipas Dhomës, adresimi në kohë i këtyre sfidave është thelbësor për të ruajtur suksesin e promovimit të Shqipërisë si një destinacion gjithnjë e më tërheqës në rajonin e Mesdheut.

“Informacionet e përcjella nga anëtarët tanë flasin për zona bregdetare ku mungesa e ujit të pijshëm, keqmenaxhimi i ujërave të zeza, djegia e mbetjeve në landfille dhe vazhdimi i aktiviteteve ndërtimore gjatë sezonit turistik po ndikojnë në funksionimin e strukturave akomoduese dhe në cilësinë e jetës së komuniteteve”, theksohet në deklaratë.

Një tjetër shqetësim i ngritur, është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar në sektorin e turizmit. Dhoma thekson nevojën për një zgjidhje afatgjatë që përqendrohet në zhvillimin, kualifikimin dhe motivimin e stafit për të mbështetur bizneset turistike.

“Mungesa e një stafi të trajnuar ka vënë në vështirësi shumë biznese turistike, duke rrezikuar konkurrueshmërinë e Shqipërisë si destinacion turistik në rajon”, shprehet Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Për këtë arsye, Dhoma i bën thirrje qeverisë, pushtetit lokal dhe institucioneve përkatëse që të ndërmarrin masa të menjëhershme për të adresuar këto problematika, duke ndihmuar jo vetëm bizneset, por edhe duke forcuar ritmin pozitiv për imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik në rritje.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›