E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mos na ndodhë si ‘Plaku dhe Deti'”/ Si përgjigjet Rama kur e pyesin se kur do të futemi në BE

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e PS-së në njësinë nr.3 në Tiranë, u shpreh ndër të tjera se pritshmëritë për integrimin europian të Shqipërisë në 2030 janë të arsyeshme nëse vijon progresi aktual.

Por kur u pyet nga një e pranishme lidhur me kohën që do të duhet të presin shqiptarët për anëtarësimin në familjen europiane, kreu i qeverisë deklaroi se, 2030-ta nuk është një datë e nxjerrë nga xhepi dhe se lufta në Ukrainë e shkundir BE-në.

Pyetja: Doja të bëja një pyetje në lidhje me ëndrrën e çdo shqiptari, që është hyrja në Bashkimin Europian. Ju e përmendët sadopak, por edhe sa kohë do të presin shqiptarët për të qenë pjesë e Bashkimit Europian?

 

Kryeministri Edi Rama: Tani, 2030-ën unë nuk e kam nxjerrë nga xhepi. 2030-ën e kemi nxjerrë nga një llogari e thjeshtë. Pikërisht pse Bashkimi Europian është në atë fazën që ju thashë, që ka hapur dyert dhe do që të marrë të tjerë, sepse lufta në Ukrainë e shkundi shumë fort Bashkimin Europian nga ai komfort që kishte zënë prej kohësh, që “jemi mirë kështu, edhe ja të shohim”, po nuk është koha për t’u zgjeruar, se zgjerimi e “tërci e vërci”.

U shkund, e pa që gjërat, ndërkohë shumë pranë Bashkimit Europian, lëvizën në një drejtim që ata nuk e prisnin dhe procesi mori një ritëm tjetër.

Komisioni Europian na vuri përpara një plan. Janë gjashtë klastera, 33 kapituj. Të gjithë ata kapituj kanë brenda dhjetëra e dhjetëra detyra. Për shembull, ti do të vish në Bashkimin Europian? Po. Në kapitullin e sigurisë ushqimore, ti duhet të bësh këtë, këtë dhe këtë. Këto janë detyra që i kishin vënë nëpër blloqe, si në kalendar, dhe na thanë: “Është shumë ambicioze, por nëse ju mobilizoheni dhe i bëni këto detyra deri në fund të 2027-ës, ne, nga ana jonë këtu në kat të parë, do t’ju japim certifikatën për t’u hipur në kat të dytë.”

Sepse procesi ka dy faza. Mbarojnë negociatat me Komisionin, që është si qeveria e Bashkimit Europian. Pastaj duhet të shkosh në çdo vend dhe të marrësh aprovimin e parlamenteve, X, Y, në ’27-ën, dhe normalisht kjo periudhë është dy vjet.

Nëse gjërat shkojnë mirë, nëse pastaj shpërthen lufta e tretë botërore apo në Francë rikthehet monarkia apo në Gjermani ndodh diçka tjetër, atëherë ne nuk kemi gjë në dorë për këto. Por, nëse ne bëjmë detyrat tona deri në fund të ’27-ës dhe ata na japin OK-in, duhen dy vjet.

Tani, meqë çdo gjë nuk shkon në sahat, le të llogarisim fundin e 2027-ës, gjysmën e 2028-ës, prapë dy vjet. Pra, 2030 është një vit i arsyeshëm me këtë logjikë, nëse gjërat janë kështu.

Dhe prandaj është kaq e dëmshme kur njerëz që kanë mundësi të flasin me këdo në gjuhë të huaj, njerëz që japin intervista në media të huaja, njerëz që komunikojnë me grupe parlamentare etj., dhe që, pavarësisht se përfaqësojnë këtu forca opozitare, nuk e kanë idenë se çfarë dëmi bëjnë dhe as nuk u intereson fare, kur nuk lënë gur pa luajtur për të futur dyshimin te Shqipëria, për të futur dyshimin te procesi.

Sigurisht që për Komisionin Europian këto nuk pinë ujë, sepse Komisioni Europian i ndjek të gjitha 24 orë, shtatë ditë të javës. Ka këtu një ushtri me njerëz që mbajnë shënime për çdo fushë etj., dhe ata nuk i gënjen dot.

Këtu është vetëm një arsye që më mban mua këtu akoma dhe është kjo që ju thashë: asgjë tjetër, që ta çojmë deri në fund këtë gjë. Mos na ndodhë si “Plaku dhe Deti”, që ia hëngrën peshkun rrugës peshkaqenët. Duhet ta nxjerrim në breg dhe mundësitë i kemi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›