E Diel, 1 Nëntor 2026

Moska kërcënon Britaninë me pasoja: Dronët britanikë dyshohet se goditën objektiva në Rusi

Rusia ka kërcënuar Mbretërinë e Bashkuar me “pasoja”, pas raportimeve se dronë të prodhuar nga kompani britanike janë përdorur nga Ukraina për sulme ndaj objektivave në territorin rus. Sipas gazetës britanike The Sunday Times, Ukraina ka përdorur dronë të prodhuar nga dy kompani britanike si pjesë e fushatës së saj të sulmeve me rreze të gjatë veprimi. Nëse konfirmohet, kjo do të ishte hera e parë që mjete ajrore britanike përdoren në mënyrë të drejtpërdrejtë në goditje ndaj objektivave brenda Rusisë.

Kievi ka intensifikuar gjatë këtij viti sulmet në thellësi të territorit rus, duke përdorur raketa me rreze të gjatë dhe valë dronësh kundër industrisë ushtarake, infrastrukturës energjetike dhe objekteve të tjera strategjike. Moska ka reaguar ashpër ndaj raportimeve për përfshirjen britanike. Ambasada ruse në Londër deklaroi se zhvillimet tregojnë, sipas saj, se Britania po zgjedh “qëllimisht një përshkallëzim” të konfliktit në Ukrainë.

“Veprimet e Londrës në mënyrë të pashmangshme do të kenë pasoja për të cilat ajo do të duhet të përgjigjet”, deklaroi ambasada ruse, duke paralajmëruar se përfshirja më e madhe e Britanisë në konflikt do të sillte një “çmim” më të lartë për Londrën. Londra, nga ana tjetër, ka përsëritur mbështetjen e saj për Ukrainën. Një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes deklaroi se Britania qëndron “krah për krah me Ukrainën” dhe do të vazhdojë të sigurojë pajisjet që Kievi i nevojiten për t’u mbrojtur ndaj pushtimit rus.

Zëdhënësi shtoi se Rusia nuk duhet të ketë dyshime mbi vendosmërinë e qeverisë britanike për t’i bërë ballë agresionit rus, si në Ukrainë ashtu edhe ndaj Britanisë dhe aleatëve të saj. Ndërkohë, Ukraina ka rritur ndjeshëm përdorimin e dronëve me rreze të gjatë veprimi, me synimin për të goditur kapacitetet që mbështesin ekonominë e luftës së Moskës. Sipas të dhënave të Acled, një monitorues i pavarur i konflikteve, numri i sulmeve të tilla në korrik ishte rreth tre herë më i lartë se në janar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›