E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq, bllokohet qarkullimi në aksin Maliq-Gramsh

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë juglindjen e vendit gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor në aksin e Moglicës, segment i rëndësishëm që lidh Bashkinë e Maliqit me Gramshin, si dhe shërben për lëvizjen e banorëve të njësive administrative Lozhan dhe Moglicë.

Si pasojë e motit të keq, në rrugë kanë rënë sasi të konsiderueshme inertesh dhe gurësh nga shpati i malit, duke bllokuar përkohësisht kalimin e automjeteve. Dhjetëra mjete kanë mbetur të bllokuara në pritje të hapjes së aksit.

Në zonë kanë ndërhyrë mjetet e kompanisë nënkontraktore, të cilat po punojnë për largimin e inerteve dhe rikthimin e qarkullimit normal.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në këtë aks, pasi reshjet e shiut vijojnë dhe ekziston rreziku i rrëshqitjeve të tjera të dherave e gurëve.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›