Moti i keq, pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla në Vlorë

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Kapiteneria e Portit të Vlorës njoftoi sot pezullimin, për shkaqe sigurie, të lundrimit për mjetet e vogla lundruese dhe për anijet e peshkimit.
Sipas njoftimit, tragetet e linjës Vlorë–Brindisi–Vlorë do të vijojnë të operojnë normalisht.
“Në bazë të parashikimeve për përkeqësim të situatës hidrometeorologjike brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, më datë 17.04.2025, duke filluar nga ora 08:00, në drejtimin jug–juglindje, me forcë ere deri në 15-20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.5 deri në 2.0 metra, është ndaluar pajisja me leje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit, që nga orët e para të mëngjesit,” thuhet në njoftim.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjerë dhe automjete në linjën Vlorë–Brindisi–Vlorë do të vazhdojnë të operojnë normalisht, sipas destinacioneve përkatëse.
Përmirësimi i kushteve të motit pritet në orët e mbrëmjes së sotme.
/a.f/