E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq shkakton problem, rrëshqitje në aksin Qukës-Qafë Pllocë, pezullohet lundrimi

Moti i keq me reshje shiu që përfshiu vendin këtë të enjte ka krijuar jo pak probleme. Një masiv dheu ka rrëshqitur në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë.

Sipas inxhinerëve, rrëshqitja ka ndodhur në një skarpatë ku po punohej ende për vendosjen e rrjetave mbrojtëse dhe pilotave.

Burimet thanë më tej se situata po monitorohet nga afër, si dhe është bërë vendosja e trafikndarësve në rrugë për të devijuar lëvizjen e mjeteve dhe do të pritet ndalimi i reshjeve për të vijuar punën në vendosjen e rrjetave, pilotave dhe murit mbajtës.

Nga rëshqitja e dheut fatmirësisht nuk janë shkaktuar dëme, por numri i automjeteve në këtë segment është i lartë, pasi lidhet direkt me Korçën e më tej me Kapshticën.

Ndërkohë në Fushë Mamurras është bllokuar qarkullimi në të dyja anët e autostradës  për disa minuta, për shkak të punimeve për riparimin e linjës së energjisë elektrike që ishte ndërprerë si pasojë e  motit të keq.

Po ashtu në Durrës, Autoriteti Portual ka njoftuar se për shkak të kushteve të motit në Detin Adriatik, lundrimet e parashikuara për ditën e sotme në linjën Durrës–Bari dhe Bari–Durrës janë anuluar./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›