FOKUS – Panik në shtetet e Gjirit pas sulmeve me raketa nga Irani

BEJRUT, 28 shkurt /ATSH-DPA/- Një valë paniku përfshiu sot disa shtete të Gjirit dhe vende fqinje, pasi sulmet me raketa nga Irani shkaktuan shpërthime dhe masa të menjëhershme sigurie në rajon.
Raketat iraniane u lëshuan drejt bazave ushtarake që strehojnë forca amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar, Kuvajt, Bahrein dhe Jordani, pas valëve të sulmeve ndaj Iranit nga forcat amerikane dhe izraelite.
Përshkallëzimi i menjëhershëm i operacioneve ushtarake çoi shumë vende të Lindjes së Mesme në gjendje alarmi.
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se kishin zmbrapsur një sulm “të hapur” iranian me raketa balistike.
“Megjithatë, mbetjet e predhave që ranë në një zonë rezidenciale në Abu Dabi shkaktuan një viktimë dhe dëme materiale”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve WAM.
Edhe Kuvajti dhe Katari deklaruan se kishin neutralizuar sulmet iraniane.
Në Bahrein, siguria u forcua ndjeshëm, me patrulla policie që bllokuan të gjitha rrugët hyrëse drejt bazës ushtarake amerikane në Juffair.
Familjet që jetojnë pranë bazës u panë duke u larguar me valixhe në duar.
Tregjet lokale dhe pikat e karburantit përjetuan rritje të menjëhershme të fluksit, pasi banorët nxituan të siguronin furnizime bazë nga frika e një bllokade apo mungesash të mundshme.
Tensionet u rritën edhe në Liban, ku qytetarët ishin në pritje të një fjalimi të Naim Qassem, kreu i Hezbollahut pro-iranian.
Shumë banorë u dyndën në dyqane ushqimore, të shqetësuar se fjalimi mund të sinjalizonte mbështetjen e Hezbollahut për Iranin, në një përshkallëzimin rajonal.
Në Doha, ambasada amerikane urdhëroi personelin të qëndrojë në strehim dhe u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të qëndronin në vende të sigurta, të ndiqnin lajmet lokale dhe të mbanin kontakt me familjarët.
Edhe Jordania mori masa parandaluese. Autoritetet këshilluan qytetarët të shmangnin dritaret dhe hapësirat e hapura, të strehoheshin pranë shkallëve prej betoni kur është e mundur dhe të mos afroheshin pranë objekteve të panjohura apo të rëna, të cilat mund të përmbanin lëndë shpërthyese.
Rrugët e kryeqytetit Aman mbetën pothuajse të zbrazëta, ndërsa shumica e banorëve qëndruan brenda në pritje të zhvillimeve të mëtejshme. //a.i/