Motoçikletat në korsitë e biçikletave, shqetësim për sigurinë rrugore në Tiranë

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Në rrugët e kryeqytetit vijon të mbetet problematikë qarkullimi i motoçikletave në korsitë e dedikuara për biçikleta, një fenomen që ngre shqetësime për sigurinë rrugore dhe respektimin e rregullave të qarkullimit.
Prania e motoçikletave në këto korsi krijon situata të rrezikshme për përdoruesit e biçikletave, të cilët detyrohen të shmangen ose të dalin nga korsia e dedikuar për të vijuar lëvizjen.
Siç dhe shihet nga pamjet e vëzhgimit të ATSH-së, në korsitë e dedikuara për përdoruesit e biçikletave në rrugën “Myslym Shyri”, por edhe në rrugët e tjera, qarkullojnë edhe motoçikleta.
Rreziku bëhet edhe më i madh gjatë orëve të pikut, kur trafiku është më i rënduar dhe lëvizja e mjeteve në rrugë është më intensive.
Sipas rregullave të qarkullimit rrugor, korsitë e biçikletave janë të rezervuara për lëvizjen e biçikletave dhe mjeteve të ngjashme, ndërsa përdorimi i tyre nga motoçikletat përbën shkelje.
Krijimi i infrastrukturës së dedikuar për biçikletat në Tiranë ka qenë pjesë e përpjekjeve për të promovuar lëvizjen e qëndrueshme dhe për të ulur ndotjen, ndaj respektimi i këtyre hapësirave mbetet i domosdoshëm për funksionimin e tyre sipas qëllimit për të cilin janë ndërtuar.
/k.s/r.e/a.f/