“Mrekullitë e Arbërisë” – Premierë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore solli për dy netë rresht, një koncert të jashtëzakonshëm me perlat e trashëgimisë sonë kombëtare të shpallura në UNESCO si pasuri e njerëzimit.
Tingujt epikë të lahutës, magjia e polifonisë, energjia e “K’cimit të Tropojës”, hijeshia e xhubletës, madhështia e qyteteve të gurit dhe tradita e lashtë erdhën në një spektakël të veçantë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës.
Ato u përcollën për publiku nga mjeshtrit e folklorit. Në skenë u ngjitën thesaret më të çmuara të trashëgimisë sonë shpirtërore, në një shfaqje të titulluar “Mrekullitë e Arbërisë”.
Nën tingujt e lahutës, me hijeshinë e xhubletës dhe fuqinë e polifonisë shqiptare, publiku përjetoi emocione të rralla dhe një udhëtim autentik në zemër të identitetit tonë kulturor.
/rtsh.al/