E Diel, 1 Nëntor 2026

Muaji i shenjtë i Ramazanit, Rama publikon pamje nga Xhamia e Plumbit

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Besimtarët myslimanë kanë nisur muajin e shenjtë të Ramazanit, një periudhë e rëndësishme përkushtimi dhe reflektimi shpirtëror.

Në këtë kuadër, Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga Xhamia e Plumbit në Shkodër, duke vënë në pah restaurimin e plotë të një prej monumenteve më të rralla dhe më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Kjo perlë e arkitekturës osmane, e ndërtuar në vitet 1773-1774, konsiderohet xhamia më e madhe osmane në Shqipëri dhe mban statusin Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

Është e vetmja xhami në Shqipëri me stil tipik osman që përfshin një oborr të brendshëm me kolona (portik).

Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitet 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatlliu, sipas modelit të arkitekt Sinanit. Ajo u shpall Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.

Ndërhyrja e fundit në këtë xhami ishte bërë në vitin 1865, pas përmbytjes së madhe të Shkodrës.

Xhamia u rivitalizua në vitin 2025. Rijetësimi i kësaj xhamie unikale në Shkodër përfshiu jo vetëm restaurimin e thellë të saj, por edhe transformimin e hapësirës përreth. Projekti  përfshiu restaurimin e thelluar të strukturës së xhamisë, si dhe transformimin e hapësirës përreth, duke i dhënë zonës një dimension të ri estetik dhe funksional. Krahas ndërhyrjeve në objekt, është punuar edhe për sistemimin dhe restaurimin e pjesës së jashtme, me qëllim ruajtjen e autenticitetit dhe vlerave historike të saj.

Xhamia është kthyer pas restaurimit në tjetër atraksion të rëndësishëm turistik për Shkodrën, duke kontribuar në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e turizmit në rajon.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›