E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUNT: Akuzat e pabaza dëmtojnë marrëdhënien pacient-mjek

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” sqaroi deklaratën e drejtoreshës së përgjithshme Anxhela Paparizo, gjatë një konference për shtyp ditën e sotme.

Sipas sqarimit të QSUNT-së, gjatë një komunikimi me mediet, drejtoresha po i përgjigjej një pyetjeje specifike që lidhej me vonesat në hapjen e shërbimeve të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare. Në atë moment, ndërhyrja me një pyetje tjetër e shkëputi diskutimin nga konteksti fillestar.

“Sot, teksa Drejtoresha e Përgjithshme e QSUT po i përgjigjej një pyetjeje specifike lidhur me vonesat në hapjen e shërbimeve të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare, ndërhyrja me një pyetje tjetër e shkëputi diskutimin nga konteksti i tij fillestar.

“Një përgjigje normale dhe e lidhur me një situatë konkrete u përgjithësua dhe u interpretua jashtë kontekstit, duke u shndërruar në një moment “viral””, sqaroi QSUNT, ku publikoi edhe videon e deklaratës.

QSUNT thekson se “akuzat e pabaza ndaj personelit mjekësor në QSUT dhe jo vetëm, ndikojnë drejtpërdrejt në thyerjen e besimit ndaj stafit mjekësor dhe dëmtojnë marrëdhënien mes pacientit dhe mjekut”.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i bën thirrje çdo pacienti dhe familjari që, nëse hasin raste abuzimi apo sjelljeje të papërshtatshme nga stafi mjekësor, t’i denoncojnë pa frikë përmes rrugëve zyrtare.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›