E Martë, 3 Nëntor 2026

Muça: Rritje e përdorimit të biokarburanteve me 1 % çdo vit

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi sot projektligjin “Për prodhimin, transportin, tregtimin dhe përdorimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme për transport”

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, bëri të ditur se, pr.ligji synon promovimin e prodhimit dhe të përdorimit të burimeve të energjisë së rinovueshme për sektorin e transportit, nëpërmjet përdorimit të biokarburanteve për zëvendësimin e një pjese të nënprodukteve të naftës me lëndë djegëse jo fosile për motorët me djegie të brendshme.

Ajo tha se, qeveria parashikon të rrisë përdorimin e biokarburanteve me 1 % çdo vit për të arritur në fund të 2030-ës nivelin 7 %.

Muçaj vuri në dukje se, “Shqipëria është e angazhuar në kuadër të Acquis të plotësojë objektivin kombëtar për energjinë e rinovueshme. Sasia minimale vjetore në treg e biokarburanteve dhe e lëndëve të tjera djegëse të rinovueshme për transport, të cilat plotësojnë kriteret e qëndrueshmërisë në përputhje me nenin 6 të këtij ligji dhe reduktimit të emetimeve të gazeve serrë për biokarburantet, duhet të jetë jo më pak se 1 % të sasisë të konsumi përfundimtar të lëndëve djegëse në sektorin e transportit në vitin 2025. Nga viti 2026 deri në vitin 2030 kjo sasi do të rritet gradualisht me 1% në vit me synim që në vitin 2030 të jetë jo më pak se 7%“.

Sipas saj, qëllimi i ligjit është të krijohen politika të tilla nxitëse për kultivimin e bimëve energjetike në Shqipëri dhe mundësinë e përdorimit te biomasave me origjinë të ndryshme për të garantuar mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet respektimit të kritereve të qëndrueshmërisë dhe reduktimit të emetimeve të gazeve serrë për biokarburantet, biolëngjet dhe lëndët djegëse nga biomasa, si dhe plotësimin e kërkesave për cilësinë e karburanteve në sektorin e transportit referuar parashikimeve në direktivën 2018/2001KE, të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 11 dhjetor 2018, “Mbi promovimin e përdorimit të energjisë nga burimet e energjive të rinovueshme”, amenduar se fundmi me direktivën.

Në këtë kuadër veçoi ajo, për nxitjen e përdorimit të biokarburanteve, regjimi fiskal për prodhuesit parashikon lehtësi.

“Zbatimi i regjimeve fiskale lehtësues për biokarburantet me qëllim rritjen e përdorimit dhe konkurrimin me çmimin. Lehtësitë dhe përjashtime fiskale në lidhje me sasitë e biokarburanteve të pastra 100% bio, pa përfshirë pjesën e nënprodukteve respektive të prodhuar nga përpunimi i naftës bruto, që hidhen në treg, te cilat do te përcaktohen në ligjet respektive të tatimeve dhe taksave”, u shpreh Muça. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›