Mungesa e ujit të pijshëm në Vlorë, Rama: Pjesët hidraulike të montuara në 2009 ishin jashtë standardeve, ndjesë vlonjatëve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me mungesën e ujit të pijshëm në qytetin e Vlorës, e cila vijon prej katër ditësh dhe ka shkaktuar protesta të banorëve.
Rama shpjegoi se problemi ka ardhur si pasojë e përdorimit të pjesëve hidraulike jashtë standardeve, të instaluara në vitin 2009-2010, ndërsa njoftoi se pjesët e reja hidraulike po dërgohen nga Stambolli drejt Vlorës për të kryer riparimin e defektit.
“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e defektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standardeve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer”, shkruan Rama.
Kryeministri gjithashtu vlerësoi punën e punëtorëve të ujësjellësit të Vlorës, të cilët prej disa ditësh po punojnë pa pushim për të zgjidhur këtë problem.
“Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën”, tha Rama.
Rama u kërkoi falje qytetarëve për këtë situatë të papritur dhe theksoi se pas peripecive të fundit, situata do të normalizohet.
“Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë”, përfundon ai.
Prej 4 ditësh qyteti i Vlorës ka mbetur pa ujë për shkak të një defekti të ndodhur në linjën kryesore, ndërsa banorët prej dy ditësh janë ngritur në protesta.
Ata protestuan sot para Bashkisë Vlorë, ku kërkonin përgjigje se kur do të mund të riparohej defekti dhe marrjen e masave nga institucionet për rikthimin e ujit të pijshëm. Me bidonë në duar ata i kanë rënë dyerve të bashkisë në shenjë proteste për mungesën e ujit të pijshëm prej ditësh.
/rtsh.al/