“Tema e Ditës” – Ristani: Në 2026, 1500 kuota për programin e strehimit. Çmimi i transportit publik s’do ndryshojë

Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, bëri të ditur planet e Bashkisë për vitin 2026, duke theksuar se do të ketë 1500 kuota të reja për programin e strehimit për familjet e reja, ndërsa çmimi i transportit publik nuk do të rritet.
“Bashkia e Tiranës është një familje e madhe që kujdeset që nga shporta e bebes te të sapolindurit deri te sistemi i atyre që na lënë në varrezat e qytetit. 2025 ka qenë një vit ka pasur edhe sfida të tjera në drejtim të vetë bashkisë, por ajo që mbetet është në shërbim ndaj qytetarëve fund duke prekur të gjithë harkun e jetës. Një ndër sfidat e mëdha këtë vit ka qenë ajo e strehimit për familjet e reja që i jemi përgjigjur me kreditë e buta, ku subvencionohet ndryshimi i interesit që i ndodh kredive për shtëpi nga buxheti i bashkisë dhe ai shtetit që i mundëson familjeve të reja strehim, në 2026 ne kemi buxhetuar me 1500 kuota të tjera për kredi të buta për programin e strehimit. Kreditë e buta janë një instrument për ato familje që kanë të ardhura, por nuk kanë mjaftueshëm hapësire që të përballojnë nivelin e interesit që kanë bankat e nivelit të dytë”, tha Ristani.
Sa i përket transportit publik, ajo njoftoi se Bashkia po punon në dy drejtime: përmirësimin e linjave ekzistuese dhe krijimin e tre linjave të reja të dedikuara për autobusët elektrikë, në bashkëpunim me partnerët gjermanë.
Ristani sqaroi se linjat e reja do të kenë korsitë e tyre të veçanta, për të mundësuar një transport më të shpejtë, ndërsa çmimi i biletës për momentin nuk do të rritet.
“Kemi dy drejtime kryesime që po punojmë, ai i përmirësimit të linjave aktuale që janë të kontraktuara sipas planit tonë të shpërndarjes dhe puna që po bëjmë me partnerët tanë gjermanë për linjë të dedikuar të autobusëve. Me financim të qeverisë gjermane dhe me kontribut të njohurisë së Bashkisë Tiranë do të jenë 3 linja të dedikuara ku korsia e autobusit do jetë e diferencuar fizikisht nga pjesa tjetër e trafikut ku do të mundësoj transport shumë më të shpjet se makina private. Autobusët do jenë plotësisht elektrik dhe 3 linjat do të jenë të reja dhe do jenë kombinim me linjat ekzistuese të Tiranës. Puna infrastrukturore e përgatitjes është intensive dhe përfshin një ndërhyrje në rrugë aktuale që do bëjë diferencën. Rritja e çmimit dhe përmirësimi i shërbimit shkojnë së bashku, kështu që një rritje e biletës për momentin nuk do të ketë për sa kohë ta sistemojmë të gjithë, dhe bileta do të bëhet elektronike dhe pagesa do të bëhet jo me para në dorë ashtu siç bëhet në të gjitha vendet e botës. Nuk kemi një rritje të çmimit tani, por kjo nuk do të thotë se nuk ka një kosto të shtuar për bashkinë ku mbulon koston e tyre”, tha Ristani.
/rtsh.al/