E Hënë, 2 Nëntor 2026

Partia Demokratike zhvillon foltoren para Kryeministrisë, Berisha: Opozita nuk largohet nga Sheshi i Lirisë

Partia Demokratike ka zhvilluar dhe sot foltoren e saj, ku dhjetëra demokratë dhe mbështetës të opozitës janë mbledhur para Kryeministrisë.

Në aktivitetin e organizuar, i pranishëm ishte kreu i PD-së, Sali Berisha, si dhe eksponentë të tjerë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë.

Në fjalën e tij përpara godinës së qeverisë tha se opozita është më e fuqishme se kurrë aktualisht dhe se shqiptarët duan largimin e Ramës nga pushteti.

“Mbyllim sot protestën tonë për të filluar vitin po me protesta. Kudo që shkoj gjej një vendosmëri absolute për t’u ndarë me këtë të keqe sa më shpejt. Shqiptarët presin me padurim largimin e kësaj bande nga pushteti. Ju garantoj se opozita është sot më e fuqishme se kurrë”, tha Berisha.

Berisha përshëndeti pjesëmarrësit, duke i cilësuar si “misionarë të pamposhtur” dhe theksoi se opozita do të vijojë qëndrimin në shesh, të cilin e quajti “Sheshi i Lirisë”.

“Qëndroni dhe do të qëndrojmë në këtë shesh, gjersa nga ajo ndërtesë të largojmë binomin që ka përçmuar shqiptarët,” – u shpreh Berisha.

Ai shtoi se opozita synon të mbajë gjallë frymën e protestës dhe angazhimit qytetar, duke e konsideruar foltoren si një formë komunikimi të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te kritikat ndaj qeverisë, duke theksuar se sipas tij, vendi ka nevojë për një ndryshim të thellë politik.

“Shkollat, familjet dhe komunitetet kanë nevojë për kushte më të mira, për një qeverisje që respekton qytetarët,” – tha ai, duke nënvizuar se opozita do të vijojë aksionin politik.

Ai mori si shembull Kosovën dhe zgjedhjet e fundit që u zhvilluan duke theksuar se është krenari për çdo shqiptar.

“Krenari e madhe, por edhe shpresë. Një shtet që shpall pavarësinë pak vite më parë, një shtet ku shqiptarët njëlloj si në Shqipëri janë shumicë, por një shtet që ecën me hapa gjigande drejt BE-së. Një shtet që studiuesit kanë gjetur se është vetëm 16 vite larg të qeverisjes së standardeve europiane. Kosova zhvillon zgjedhje, Kosova çdo krizë e zgjidh në përputhje me ligjin. Kryeministri i Kosovës nuk mban koordinator krimi”, tha ai duke akuzuar nga ana tjetër kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama.

Sa i përket protestës së qytetarëve të Vlorës për ujin, Berisha e konsideroi një “ndëshkim qeveritar” dhe shtoi se ndodh në të gjithë Shqipërinë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›