Mungon siguria ushqimore, ekspertët: AKU kujtohet vetëm kur zbulohet skandali i radhës

Problemet e vazhdueshme me sigurinë ushqimore, ku më i fundit ishte ai në Gramsh, ku fëmijët e një kopshti u infektuan nga salmonela, për ekspertët tregojnë se AKU çalon në punën e saj dhe se nuk po inspekton aty ku duhet.
“Në dijeninë time, AKU vijon punën e saj normale, bën inspektime në bazë të një programi i cili është që në fillim të vitit dhe bëhet në bazë të vlerësimit të riskut. Meqenëse AKU është në një reformim, duhet të ketë një program me indikatorë risku më mirë të vlerësuar, më shumë kontrolle dhe një komunikim më të drejtë me konsumatorët. Ne shohim që konsumatorët më kollaj komunikojnë, denoncojnë në media sesa në AKU. Ose ndodh që komunikimi është vetëm në fillim dhe më pas kujtohemi vetëm kur ndodh rasti tjetër.”, tha Esmeralda Ballesha, eksperte e sigurise ushqimore.
Helmimi i fëmijëve është nën hetim nga prokuroria, ndërsa Kodi Penal parashikon që ai që importon, prodhon apo shet produkte ushqimore që rrezikojnë shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim deri në 3 vjet. Vënia përballë përgjegjësisë shkelësve bëhet edhe më e nevojshme për të rritur sigurinë ushqimore në kohën kur jemi në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Aktualisht kapitulli 12 ka qenë nga ata me më pak progres. Do të duhet të ketë investime masive jo vetëm në institucionet publike, në laboratorë, në të gjithë ciklin e gjurmueshmërisë, por edhe investime për bizneset. Distributorët, tregtarët, supermarketet nuk i kanë ende të gjitha standardet e duhura, duhet të investojnë që të jenë gati për BE. Të gjitha pikat kufitare duhet të kenë pika të AKU dhe nuk mund që produktet të kalojnë pa certifikimin e inspektorit të AKU. Pastaj ne kemi problematika nëse laboratorët tanë arrijnë të bëjnë të gjitha analizat dhe a kanë kontaktet e duhura me laboratorët e tjerë në shtetet e tjera, që këto analiza të vijnë në kohën e duhur, që të gjurmohen produktet dhe të tërhiqen nga tregu. Kjo duhet bërë në një kohë shumë më të shkurtër nëse duam të jemi pjesë e BE-së dhe prandaj duhen më shumë investime në laboratorë.”
Në prill, ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, deklaroi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të shkrihej dhe se do të unifikohej me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Akuakulturën. AKU pohon se që pas kësaj deklarate, kanë dhënë mendim për propozimin dhe janë në pritje të një përgjigjeje nga Ministria e Bujqësisë.
/vizionplus.tv