E Diel, 1 Nëntor 2026

Murat Basha: Në vitin '90 e gjeta mbretin në mërgim

Prej shumë ditësh gazeta ka botuar një intervistë të hollë sishme të njërit prej eksponentëve kryesorë të Sigurimit komunist në Paris, Hasan Luçin. Në atë intervistë të zgjeruar, zoti Luçi foli kryesisht për rekrutimin e njerëzve më të afërt të oborrit mbretëror dhe Legalitetit në mërgim. Është vetë Legaliteti, i cili nëpërmjet intervistës së njërit prej eksponentëve kryesorë të partisë, siç është Murat Basha, i kundërpërgjigjet sot, pikërisht dëshmisë së Hasan Luçit. Murat Basha, pavarësisht se është i ri në moshë,- por që mban një post shumë të rëndësishëm në partinë e Mbretit,- flet për shumë detaje të historisë së familjes mbretërore, në të cilat tregon se i njeh shumë mirë, për faktin se koha e gjatë e punës së tij shumë afër mbretit Leka I, ajo periudhë e gjatë pranë mbretit e ka bërë atë t'i mësojë mirë faktet dhe historinë në mërgim të partisë ku sot është numri i saj. Por çfarë thotë konkretisht Murat Basha në këtë intervistë tepër interesante të tij, të cilën e fillon që me edukimin dhe brumosjen e tij familjare të ndjenjës për mbretin dhe mbretërinë, e deri te realizimi i ëndrrës së tij për të takuar nga afër mbretin Leka, të cilin e arriti në fillim të viteve '90. E ndërkohë, për historinë e luftëtarëve të Legalitetit, të cilët janë akuzuar nga komunizmi si terroristë, Murat Basha deklaron se edhe vetë po të kishte qenë në perëndim në vitet '70 nuk do të kishte ndenjur pa hedhur bomba mbi ambasadat e Shqipërisë komuniste në Europë. Për më tepër, le të ndjekim intervistën e tij në shkrimin e mëposhtëm.

Zoti Basha, me sa shikoj, ju e paskeni pasur ëndërr të për jetshme takimin me mbretin Leka. Çfarë kishe njohur dikur rreth jetës së tij?
Gjatë gjithë jetës e kisha ëndërruar atë moment. E kisha sjellë dhe stërsjellë në mendjen time, se si do të ishte çasti kur unë do ta takoja Mbretin Leka I. Kam pasur mundësinë që të shoh fotot e Mbretit Leka në 1973-in, në disa revista italiane dhe spanjolle, që i pati gjetur me miq, daja im Pleurat Shkurti (ka ndërruar jetë),i biri i Hasan Shkurtit, oficer i Mbretit Zog. Me këmbënguljen e babës tim dhe veçanërisht të Sami Kupit dhe Eqerem Frashërit, njerëzve që kam dashur më shumë pas tim eti, u largova nga Shqipëria për t'u takuar me Mbretin. Ka qenë shtatori i vitit 1990, kur mua si dhe disa shokëve të mi, mu mundësua pasaporta e madhe që i thonim në atë kohë, për të dalë jashtë shtetit. Me sa kam mësuar më vonë, emrat tanë, që kemi qenë kundërshtarë të betuar të regjimit, për vetë masakrat që ishin bërë mbi familjet tona, kanë qenë të evidentuara në policitë përkatëse dhe në zyrën sekrete të Sigurimit të shtetit. Ka qenë një orientim filozofik dhe djallëzor i Ramiz Alisë, i cili deshi që neve kundërshtarët e fuqishëm të regjimit të tij, që kishim akumuluar zemëratë për 45 vjet, të na mundësonin largimin nga Shqipëria, për të ulur tensionet ndaj tij. Prandaj edhe unë, papritur dhe pakujtuar u ndodha mes mundësish reale për të pasur lehtësisht pasaportë, ashtu siç do të kisha dhe lejen për të dalë jashtë kufijve shtetërorë.
Shtatori i vitit 1990 që paskeni ikur juve, paska korresponduar me largimin e njerëzve me hyrjen në ambasada. Nuk ju tha mendja për të ikur me ambasadat, kur kishit aq mllef për sistemin që po binte, kur nuk e dinit nëse do të mund të iknit dot më mbrapa?
Jua kuptoj qartë mendimin. Keni të drejtë të mendoni kështu, se kur shokët e mi që nuk rrinin dot në atë sistem nuk pyetën mure dhe hekura ambasadash por kaluan drejt e brenda, unë që më ishte masakruar me plumbat e Enver Hoxhës koka e tim gjyshi, pavarësisht se kishte qenë një nga veprimtarët e shquar të lëvizjeve kombëtare të vendit, madje deri te lufta kundër pushtuesit, që më ishte kalbur babai burgjeve të tmerrshme të sigurisë speciale, nuk mendova asnjë herë që të kaloja muret e ambasadave. E di që do t'ju duket çudi, për faktin se ikja me pasaportë ka dalë dy muaj më mbrapa dhe unë në kohën e ambasadave nuk e dija nëse do të mund të largohesha me pasaportë. Por arsyeja ishte, se im atë më porositi që të mos ndërmerrja në asnjë mënyrë ikjen me ambasada, se pushteti komunist po jepte shpirt. Neve kishim pritur 50 vjet të fundosej ai regjim barbar, ndërsa tani që ai po binte ne të iknim dhe t'jua linim prapë atyre që e kishin. Jo, nuk mund ta bënim një gjë të tillë. Kjo ishte dhe arsyeja që unë prita përmbysjen e madhe, ndërkohë që pasaporta m'u gjend në dorë papritur dhe pakujtuar, kuptohet, për arsyet që jua shpjegova më lartë.
Por prapë, ikët apo jo?
Tani ishte ikje me pasaportë. Ky nuk quhej largim, pasi vija kur të doja, ndërsa rasti i ambasadave ishte largim i sforcuar.
Për ku ikët?
U nisa drejt Italisë. Sapo mbërrita në Itali, mora kontakte me miqtë e familjes, apo edhe të gjyshit tim Murat Bashës, si edhe me miq të babës sim, që ishin të arratisur nga Shqipëria.
Kush jua krijoi kontaktet me mbretin Leka, që e paskeni pasur ëndërr tërë jetën?
Njeriu i parë që më krijoi mundësinë të kontaktoj me njerëzit e Mbretit Leka, por edhe me atë vetë, ka qenë z. Mentor Çoku. Një patriot dhe intelektual, që më ka lënë mbresa. Në disa rrethana, përcaktues është fati apo dora e Zotit. Në kohën që po flas, Mbreti Leka ishte në Paris, në rezidencën e Oborrit Mbretëror Shqiptar. Në shtëpinë e z. Hyll Spahija, antikomunist i vendosur, një burrë patriot, trim dhe inteligjent, i cili ka bërë sakrifica dhe veprimtari të jashtëzakonshme, në shërbim të atdheut dhe mbretit.
Kush ishte momenti i njoftimit për takim?
Ka qenë emocion i papërshkrueshëm, kur z. Spahija më telefonoi si zakonisht, sepse kishim vendosur kontakte, por kur ai më kaloi në telefon mbretin, nuk do t'i harroj shprehjet e para të tij: "Familjen ta njoh,- më tha Mbreti, -nderoj veprën e gjyshit tuej. Ty nuk të njof, por më ka fol vajza e Abaz Kupit, që asht këtu në Paris. Hylli do vi me të takue"...Çfarë emocioni. Thuajse nuk kam fjetur gjithë natën, duke falënderuar Zotin për mundësinë që më krijoi.
Po fizikisht, si mundët ta takonit?
Ndryshimet në lindje, rrëzimi i murit të Berlinit, ekzekutimi i Causheskut dhe gruas se tij Elena, ishin sinjale të forta se era e ndryshimit do prekte edhe Shqipërinë. Ngjarja e ambasadave dhe revolta studentore, e futi në panik bandën kriminale komuniste, e cila po e ndjente se fundi i pushtetit të dhunshëm dhe kriminal, ishte i pashmangshëm. Për të evituar revoltën, hakmarrjen, apo më mirë "hakdhënien" që mund të binte mbi ta, për ta kanalizuar atë në drejtim tjetër, u përdorën disa "valvola" shkarkimi, një prej tyre edhe "ikja" masive e shqiptarëve me anije, në ditët e para të marsit 1991. Kjo ngjarje e "jashtëzakonshme" kërkonte nga Mbreti Leka të ishte atje ku e kërkonte nderi dhe detyra, në përkrahje dhe mbrojtje të bashkatdhetarëve të tij shqiptarë. Kjo ishte koha kur Mbreti ndërmori udhëtimin në Itali.
Në atë kohë, edhe ju ndodheshit në Itali?
Po. Aty nga ku edhe fola në telefon. Ishte data 18 mars 1991, ora 8.48. Mbretin e takova në hotelin "Ekselsior" në Romë. E kam thënë dhe më parë, se nuk qenka vetëm parajsa vendi ku realizohen ëndrrat... E shtrëngova fort trupin e tij gjigant, i vura kokën mbi gjoks… dhe u përlota… Nuk e di sa kam ndenjur duke e përqafuar Mbretin tim… Të tjerët që ishin aty thanë se nuk shkëputesha prej tij. Mua m'u duk fare pak… Ndjeve edhe unë lotët e tij mbi kokën time... Pastaj bëra një hap mbrapa, vura njërin gju në dysheme dhe iu betova:"Madhëri, ku shkeltë këmba juaj, raftë koka ime".
Po ai si reagoi?
Më përgëzoi për traktet e futura në Shqipëri. Më tha se isha i mirëpritur, nëse dëshiroja t'i bashkëngjitesha ekipit të Oborrit Mbretëror Shqiptar, që do takonte bashkatdhetarët tanë nëpër kampet e Italisë së jugut.
Kë takuat tjetër nga njerëzit e Legalitetit në emigracion?
Në emigracion pata fatin të takoj edhe burra të tjerë patriotë, të gatshëm për të ndërmarrë çdo veprim apo sakrificë për Atdhe dhe Mbret. Z. Skënder Zogu këtë burrë babaxhan, të mirë, të ndershëm, intelektual, poliglot, e pata takuar në Bari në dhjetor 1990, kur së bashku me Hyll Spahinë, më sollën traktet e Mbretit... Pata rastin dhe privilegjin të njoh dhe të bashkëpunoj edhe më vonë, me Ministrin e Oborrit Mbretëror, z.Abedin Mulosmani (ka ndërruar jetë), besnikët e Mbretit, Hyll Spahija, Hysen Shehu, Xhevahir Shuaipi, simpatikun kurajoz Shehat Shehu, Tem Gjanaj (ka ndërruar jetë), djalin e patriotit Qazim Gjanaj.
Ku i takuat të tjerët?
Me Hyll Spahiajn, kontin francez Jean D'oigny dhe tre djem shqiptarë, u ndodhëm pranë shqiptarëve që në ditët e para të eksodit në jug të Italisë. Më pas, me Mbretin në krye, së bashku me këta patriotë, kemi vizituar për dy javë, të gjitha kampet e Italisë, ku ishin të vendosur bashkatdhetarët tanë.
Për çfarë shkoi mbreti në ato kampe apo më mirë të them se, kush ishin porositë e tij atje?
Mbreti iu ka kërkuar "vëllezërve" dhe motrave të tij shqiptarë, që të mos e harrojnë Shqipërinë, se së shpejti do të rikthehen në Atdhe….
Kam mësuar në rrugë të tërthorta, se në atë periudhë ka pasur edhe thirrje në radhët e shqiptarëve në ato kampe, që kur panë ndryshimin e madh që ekzistonte mes vendit tonë dhe Italisë, të riktheheshin sërish në Tiranë, por me armë në dorë për të çliruar vendin nga komunizmi. Nuk e di nëse këto thirrje histerike janë shprehur kur ka qenë mes tyre Leka Zogu?
Është e vërtetë se ka pasur, madje shumë të fuqishme. Por thirrjeve të tilla të mijëra shqiptarëve (veçanërisht në kampin e Restincos), për të marrë armët dhe të kthehemi të përmbysim bandën kriminale në Shqipëri, Mbreti Leka iu përgjigje se: "Ajo kohë ka kalu, sot asht kriju mundësia me i përmbysun me votë"…
Ju, e keni shoqëruar në këto takime?
Nuk i jam ndarë asnjë hap, jo vetëm në takimet me shqiptarët në kampet provizore të ngritura për ta në atë kohë, por edhe në takimet me zyrtarët e shtetit italian, sepse mbreti në ato ditë ka ndërmarrë një sërë takimesh jo vetëm me drejtuesit e kampeve të refugjatëve shqiptarë, por edhe me autoritetet e qeverisjeve lokale dhe qendrore italiane.
Për se i shfrytëzonte ato takime?
Në të gjitha këto takime, ai ka kërkuar kushte më të mira dhe trajtim sa më të mirë për shqiptarët, të cilët fillimisht në disa raste ishin lënë të flinin në porte, të mbuluara me plastmase….ë! Ishte Mbreti Leka, ai që nëpërmjet letrave, telegrameve, por dhe daljeve të shpeshta në TV-të lokale dhe qendrore italiane, ka sensibilizuar opinionin publik, por edhe të dërguarit e O.K.B-së dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, për atë që po ndodhte me refugjatët shqiptarë. Njëkohësisht, ai iu ka kërkuar qeverive të vendeve Europiane, të ndihmojnë Italinë në këtë situatë të vështirë.
Sa kohë qëndruat në Itali?
Mbasi qëndrova afro 8 muaj në Itali, më 20 maj 1991 shkova në Paris. Atje kam pasur nderin dhe privilegjin të punoj me besnikët e Mbretit, patriotë, njerëz të ndershëm, të sakrificës… Aty njoha edhe patriotin antikomunist Nezir Spahija... (ka ndërruar jetë), për të cilin kisha dëgjuar shumë. Nga ky moment kam qenë në kontakte të vazhdueshme me Mbretin Leka I.
Kur jeni rikthyer në Atdhe?
Në vitin 1994 jam rikthyer në Atdhe, për të dhënë kontributin tim modest për Atdheun dhe kauzën Mbretërore.
Keni pasur kontakte me mbretin si u kthyet në atdhe, kur dihet që familja mbretërore u kthye në Shqipëri në vitin 2002?
Takimet me Mbretin në këtë periudhë janë zhvilluar në vende të ndryshme, në Europë dhe Mesdhe....
Po pas kthimit të familjes në atdhe, kush është pozicioni juaj në lidhje me mbretin?
Nga 28 korriku 2002, kur Familja Mbretërore u rikthye në Atdhe mbas një ekzili të detyruar 63-vjeçar, kam pasur nderin dhe privilegjin të jem pranë Mbretit Leka I, si koordinator politik i oborrit mbretëror. Kam parë dokumente të arkivit të Oborrit Mbretëror Shqiptar….
Ndërsa keni pasur dijeni për shumë ngjarje, qoftë ju, dhe qoftë njerëz të moshuar të Legalitetit, përse nuk keni folur herët për ato fakte që ju mund t'i shikonit të arsyeshme, pasi siç e dini, të vërtetat historike dalin në dritë vetëm kur marrin pjesë të gjithë aktorët politikë, apo e kam gabim?
Mirë e keni ju, por e vërteta është, se ka qenë kërkesë e Mbretit, që të mos flitej për shumë ngjarje dhe personazhe…
Po sot, përse menduat se duhej folur?
Këtë e bëj, i detyruar nga spekulimet e pamoralshme, bile të turpshme, që po bëhen në median e shkruar këto ditë, nga një ish-punonjës i Sigurimit famëkeq të shtetit. E ndjej si detyrim moral dhe qytetar, të flas për disa të vërteta, të pathëna deri sot… Kam bërë parashtrimet e ngjarjeve, natyrisht duke i qëndruar besnik fjalës së Mbretit Leka I, por duke i marrë leje dhe kërkuar ndjesë shpirtit të tij...
Ç'dini apo ç'mund të më thoni për veprimtarinë politike të mbretit Leka në mërgim, pasi Hasan Luçi për atë periudhë foli, apo jo?
Unë ju thashë se periudha ime shumë e gjatë pranë mbretit Leka I ka bërë që unë të dëgjoj dhe të informohem qartazi për dëshmitë e tij të shumë ngjarjeve dhe fakteve të ndodhura gjatë përpjekjeve titanike kundër komunizmit në Shqipëri. Kështu, kam shumë të qartë se veprimtaria politike me theks patriotik, bile dhe nacionalist e Mbretit Leka, ka qenë tejet shqetësuese jo vetëm për bandën kriminale të Tiranës, por dhe për UDB-në dhe KGB-në.
Përse mund të përfshihej UDB-ja në këtë luftë të ftoftë midis të majtës ekstreme shqiptare, siç ishte komunizmi i Enver Hoxhës, dhe të djathtës së saj, të përbërë kryesisht nga emigracioni politik me në qendër Leka Zogun?
Antikomunizmin dhe përpjekjet legjitime për të përmbysur diktaturën kriminale komuniste, Mbreti e ndërthuri me veprimtarinë me theks nacionalist në mbrojtje të shqiptarëve në trojet e tyre etnike, veçanërisht të vëllezërve kosovarë. Kjo veprimtari riktheu në skenë bashkëpunimin e vjetër të Sigurimit shqiptar me UDB-në jugosllave, pavarësisht se ky bashkëpunim ka ekzistuar (ndoshta në heshtje) kur Sigurimi shqiptar dhe UDB-ja shkëmbenin rregullisht të arratisurit nga vendet respektive.
Meqenëse prekët intervistën e një ish-eksponenti kryesor të Sigurimit komunist në Paris, që është Hasan Luçi, juve nuk besoni në rekrutimet që ai deklaroi në radhët e Legalitetit, madje të njerëzve më të afërt të mbretit?
Shiko. Unë jam në dijeni të plotë, se Sigurimi kriminal komunist ka përdorur mënyra nga më të hatashmet, metoda dhune dhe presioni, për të thyer dhe bërë bashkëpunëtorë shumë njerëz brenda dhe jashtë Shqipërisë. Brenda vendit e kanë pasur më të 'lehtë' situatën, sepse kontrollonin gjithçka. Mund të arrestonin, torturonin burgosnin, internonin, vrisnin, zhduknin dhe bënin gjithçka të përbindshme në funksion të mbajtjes së pushtetit. Instrumenti kriminal i kësaj veprimtarie ishte Sigurimi. Ky instrument kriminal, natyrisht, ka vepruar edhe jashtë Shqipërisë. Si thotë edhe ai që ka qenë kryespiuni në Francë, objektivi kryesor i tyre ishte Familja Mbretërore, si mundësia potenciale, për të sjellë një përmbysje të diktaturës kriminale komuniste. Për të qenë "efektiv" në veprimtarinë e tyre, me synim, ruajtjen e pushtetit kriminal, kanë përdorur të gjitha mjetet dhe metodat, për të rekrutuar njerëz në funksion të qëllimeve të tyre të mbrapshta.
Ju pyeta për mendimin tuaj, të rekrutimeve të tij te njerëzit e afërt të mbretit Leka I: Ju, nuk i pranoni si të vërteta ato dëshmi?
Me bindje ju them se, pavarësisht nga metodat e ndyra që kanë përdorur sigurimsat e devotshëm, ata asnjëherë nuk kanë mbërritur të penetrojnë jo vetëm tek Familja Mbretërore, por as në nivele të larta në drejtimin e Partisë së Legalitetit. Minjtë e gjirizeve dhe urithët kanë qenë në nivelet e dyta apo të treta, por kurrë në nivelet e larta. Shumë prej tyre njiheshin dhe janë përdorur për lojë...
Gjithsesi, nuk besoj se ju mohoni faktin, që shumë njerëz të rekrutuar dhe që punonin për Sigurimin komunist, të mos kenë takuar Mbretin Zog apo Mbretin Leka?
Familjen Mbretërore në ekzil e kanë takuar shumë shqiptarë, mes tyre, normale që nuk mund të shmangeshin edhe minjtë e gjirizeve, spiunët, por kjo nuk do të thotë se ata kanë arritur të penetrojnë apo sabotojnë veprimtarinë e Mbretit Zog I dhe më pas atë të Mbretit Leka I.
Nuk e di nëse ju kuptova qartë, nëse thatë që shumë prej njerëzve të Sigurimit njiheshin prej Lekës?
Me ndihmën e patriotëve shqiptarë, por veçanërisht të miqve të shteteve perëndimore, Mbreti Leka ka qenë në dijeni të shumë veprimeve të spiunëve komunistë. Aq i vërtetë është ky fakt, sa shumë prej tyre kanë bërë lojë të dyfishtë, në këmbim të parave apo..., paçka se sot hiqen si patriotë apo idealistë.
Kush kanë qenë këta miq kaq të fuqishëm perëndimorë të tij, sa të dinin kaq hollësi në lidhje me shërbimet sekrete të agjenturave?
Miqtë e tij kanë qenë të shumtë. Po ju përmend disa, për të kuptuar si ishte situata, pastaj përfundimet bëjini vetë. Mbreti Leka ka pasur miqësi të deklaruara me presidentin Riçard Nikson,(lidhje familjare nga Mbretëresha Geraldina), me presidentin Ronald Regan, me senator dhe kongresmenë amerikanë, përkrahës të çështjes shqiptare dhe antikomunistë si Strom Thurmond, Xhesi Helmes,(të cilët në 1982 kaluan në senat një rezolutë për Çamërinë) etj. Marrëdhënie dhe korespondencë të rregullt me zonjën Margaret Theaçer, kryeministre e Britanisë së Madhe, Presidentin egjiptian Anvar Sadat, Mbretin Hysein të Jordanisë, Mbretin Faisal të Arabisë Saudite, Shahun e Iranit Reza Pahlevi, Mbretin Boduin të Belgjikës, Mbretin Huan Karlos të Spanjës, Lord Xhulian Amery, mjaft lordë dhe politikanë britanikë. Ka pasur raporte konfidenciale me shumë njerëz me ndikim në qarqet politike kudo në botë.
Të mbash një aktivitet të tillë politik dhe të jesh në dinamikë të kësaj natyre që ka qenë Leka Zogu, kërkohen edhe financime të shumta. Si mundi t'i arrinte këto financime?
Në shtator të vitit 1962, kur mbreti Zog kishte katër muaj që kishte vdekur, se siç dihet ai ndërroi jetë në 9 prill 1961, Familja Mbretërore, me ftesë të gjeneralit Franko u vendos në Spanjë. Në këtë kohë Mbreti Leka ka krijuar edhe shumë lidhje të tjera, si me Huan Perronin, presidentin e ardhshëm të Argjentinës etj. Në Spanjë, së bashku me Princin (sot Mbreti) Huan Karlos dhe Mbretin Simeon të Bullgarisë, krijuan një kompani import-eksporti dhe ndërtimesh. Kjo mundësi ekonomike, e ndihmoi të krijonte fonde dhe baza për veprimtarinë e mëpasshme politike. Nuk ishte e lehtë për kriminelët komunistë, të godisnin Mbretin Leka, i cili rrethohej nga besnikë idealistë, që jepnin jetën për të. Përposh gjithë kësaj historie, Mbreti e njihte mirë luftën guerrile dhe prapaskenat e saj. Pjesëmarrja në një kohë 12-javore në luftën e Vietnamit në front, i pati mësuar shumë gjëra….
Ka qenë në luftën e Vietnamit?
Po, ka qenë aty në një periudhë 12-javore. Ka qenë në shtabin amerikan. Por nën flamurin amerikan ai ka qenë për javë të tëra në terren, ku siç të thashë pak më lart, ka mësuar shumë gjëra apo mekanizma të luftës goditëse dhe kundërgoditëse me guerilasit.
(Vijon nesër)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›