E Hënë, 2 Nëntor 2026

Muslimanët festojnë Fitër Bajramin, besimtarët mbushin sheshin “Skënderbej”, Spahiu: Besim te Zoti, solidaritet mes njerëzve

Besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin. Pas një muaji agjërimi, sakrifice e devotshmërie, me mijëra besimtarë u falën në mëngjes në sheshin “Skënderbej”.

Ceremonia nisi me leximin e Kuranit, duke sjellë qetësi dhe reflektim te të pranishmit. Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu nënvizoi lutjet për paqe, begati e shëndet.

“Kjo ditë sot na gjen me zemra të mbushura dhe sakrifica jonë është pranuar. Jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden dhe njeriu matet me atë që ka. Kjo ditë është një urë mes asaj që kemi mësuar në Ramazan dhe atë që do të bëjmë pas tij. Bajrami na kujton unitetin, mëshirën dhe drejtësinë, ne jemi një komb”, tha Spahiu.

Spahiu kujtoi thelbin e Fitër Bajramit, që është ruajtja e vlerave njerëzore, duke bërë apel që pikërisht ato, të çohen përpara.

“Festojmë me familjet, të afërmit dhe miqtë tanë, por nuk harrojmë të bëjmë pjesë të gëzimit të varfërit, të sëmurët, të moshuarit të cilët përveç lutjeve drejtuar Zotit japin edhe mbështetjen tonë direkte sipas mundësisë. Fitër Bajarami le të na shërbejë si një moment i vetëdijësimi për dinjitetin dhe vlerat e përgjithshme njerëzore. Qoftë ky Bajram, një burim mirësie, dashurie dhe uniteti për ju dhe të dashurit tuaj”, tha Spahiu.

Festa e Fitër Bajramit është ndër më të rëndësishmet në kalenderin e fesë Islame për simbolikën që ajo përfaqëson.

Në këtë ditë të shënuar myslimanët shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit dhe kryejnë vizita tek njëri-tjetri për t’u mbledhur më pas në shtëpitë e tyre për drekën tradicionale./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›