NATO krijon “Bankën e Mbrojtjes”, Shqipëria ndër vendet themeluese

“Banka e Mbrojtjes, Sigurisë dhe Rezistencës, e rreshton Shqipërinë krah 8 vendeve nismëtare, që me firmën e tyre në Ankara i japin jetë një mekanizmi të fuqishëm financiar që do të ushqejë industrinë e mbrojtjes. Kryeministri Rama firmos dokumentin e krijimit bashkë me Turqinë, Kanadanë, Ukrainën, Greqinë, Belgjikën etj. Selia e bankës pritet të jetë në Luksemburg dhe qëllimi i saj është i gjerë dhe i rëndësishëm: të aftësojë vendet anëtare të arrijnë objektivin e vendosur në Hagë në 2025 për të vënë në dispozicion të mbrojtjes 5% të GDP-së.
Kryeministri Edi Rama dhe zonja e tij Linda Rama janë pjesë e darkës shtetërore që Presidenti Erdogan shtron për liderët dhe partnerët e aleancës më të madhe dhe më të fuqishme në botë, NATO-s, më 7 korrik.
Shqipëria bëhet kështu nismëtare e krijimit të një prej mekanizmave, siç është Banka e Mbrojtjes, për të krijuar mundësi reale që vendet anëtare të rrisin kapacitetet e tyre mbrojtëse.
Në Samitin e NATO-s që zhvillohet në Ankara, një nga 9 temat kryesore të diskutimit është rritja e investimeve në mbrojtje nga vendet aleate, për të mundësuar një ndarje të drejtë të barrës së shpenzimeve mes SHBA-së dhe vendeve të tjera.
Liderët e Aleancës shqyrtojnë në këtë Samit në Ankara progresin e arritur, përcaktojnë hapat e mëtejshëm për forcimin e mbrojtjes kolektive, si dhe angazhimin për mbështetjen e Ukrainës.
Turqia, si vend pritës i Samtit, është anëtare e NATO-s që prej vitit 1952 dhe ka ushtrinë e dytë më të madhe në Aleancë pas SHBA-së, me 355 mijë trupa dhe me teknologji shumë të avancuar të mbrojtjes.
Gazetare: D. Shkodrani
/rtsh.al/