E Diel, 1 Nëntor 2026

NJU JORK – Ambasadori i SHBA-së në OKB: Të gjitha opsionet për të ndaluar masakrën në Iran janë në tryezë

NJU JORK, 16 janar /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërcënuar sërish qeverinë iraniane me përshkallëzim ushtarak, në përgjigje të shtypjes brutale të protestave masive në të gjithë vendin.

“Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është një njeri i veprimit, jo i fjalëve të pafundme”, tha ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dje në Nju Jork.

“Trump e ka bërë të qartë se të gjitha opsionet janë në tryezë për të ndaluar masakrën në Iran”, tha Waltz.

Që nga fillimi i protestave masive kundër sundimit autoritar të Republikës Islamike më shumë se dy javë më parë, Trump ka kërcënuar vazhdimisht Iranin me ndërhyrjen e SHBA-së.

Protestat filluan në Teheran më 28 dhjetor si demonstrata nga shitësit e dyqaneve për rënien e ndjeshme të vlerës së rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike, përpara se të evoluonin në një kryengritje mbarëkombëtare kundër sistemit autoritar të Republikës Islamike.

“Forcat e sigurisë nisën një shtypje të ashpër të protestave – duke përdorur policinë e trazirave, gaz lotsjellës, municion të gjallë dhe arrestime masive”, thanë dëshmitarët dhe grupet e të drejtave të njeriut.

Besohet se mijëra demonstrues janë vrarë deri më tani. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit u thirr me kërkesë të SHBA-së. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›