RUSI – Putin: Mund të biem dakord për traktate të reja për kontrollin e armëve

MOSKË, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti rus, Vladimir Putin tha sot se Moska mund të bjerë dakord për traktate të reja për kontrollin e armëve, por vetëm nëse zgjidhet lufta në Ukrainë.
Komentet e tij erdhën, sipas Kremlinit, gjatë një takimi përgatitor për bisedimet e tij kokë më kokë me presidentin e SHBA-së Donald Trump, të planifikuara për të premten në Anchorage, Alaskë.
Putin tha se Uashingtoni po bënte “përpjekje mjaft energjike dhe të sinqerta” për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë dhe për të arritur marrëveshje “në interes të të gjitha palëve të përfshira”.
”Kjo mund të krijojë kushte afatgjata për paqe në Evropë dhe globalisht, nëse kalojmë në fazat e ardhshme të marrëveshjeve në fushën e kontrollit të armëve strategjike ofensive”, shtoi ai.
Me “armë ofensive strategjike”, Putin po i referohej armëve bërthamore ndërkontinentale.
Pothuajse të gjitha marrëveshjet për armët bërthamore midis Uashingtonit dhe Moskës tani kanë skaduar ose janë braktisur, duke e lënë sektorin kryesisht të parregulluar.
Putin ka zhvilluar një luftë në shkallë të plotë kundër Ukrainës për gati tre vjet e gjysmë. Trump ka thënë se dëshiron t’i japë fund konfliktit, megjithëse mbetet e paqartë se si do ta bindë Kremlinin ta bëjë këtë.
Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, tha se samiti do të përqendrohet kryesisht në luftën e Ukrainës, por do të trajtojë edhe çështje të tjera./ a.jor.