E Hënë, 2 Nëntor 2026

NJU JORK – OKB-ja e gatshme të mbështesë planin e paqes së Trump për Gazën

NJU JORK, 29 shtator /ATSH-DPA/ – Në kuadër të një propozimi për paqe nga presidenti amerikan Donald Trump për përfundimin e luftës në Gaza midis Izraelit dhe organizatës palestineze Hamas, Kombet e Bashkuara kanë përsëritur mbështetjen e tyre për përpjekje të tilla.

“Ne i mirëpresim të gjitha përpjekjet e ndërmjetësimit dhe Kombet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin, përfshirë, siç do të prisnit, edhe ofrimin e ndihmës humanitare”, u tha një zëdhënës i OKB-së gazetarëve në Nju Jork në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me planin e Trump.

“Siç e dini, OKB-ja ka qenë në kontakt me të gjitha përpjekjet e ndryshme të ndërmjetësimit nga ndërmjetësuesit e ndryshëm, pavarësisht nëse po flasim për këtë përpjekje nga SHBA-ja apo për përpjekje të tjera nga Katari dhe Egjipti”, shtoi zëdhënësi.

Propozimi i paqes nga presidenti Trump, i cili u publikua sot nga Shtëpia e Bardhë  pak para një konference për shtyp midis Trump dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se nëse të dyja palët do të bien dakord me këtë propozim, lufta do të përfundojë menjëherë.

Komentet e OKB-së erdhën pasi Shtëpia e Bardhë publikoi planin, por para se Trump dhe Netanyahu të kishin përfunduar konferencën e tyre për shtyp. Në konferencën për shtyp, Trump tha se SHBA-të do të mbështesin përpjekjet e Izraelit për të përdorur forcën kundër Hamasit nëse grupi islamist palestinez e refuzon planin e tij. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›