SHBA – Netanyahu: AP nuk mund të ketë rol në të ardhmen e Gazës pa një transformim radikal

UASHINGTON, 29 shtator /ATSH/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se Autoriteti Palestinez (AP) nuk mund të kishte një rol në qeverisjen e ardhshme të Gazës – pa një transformim “radikal”, sipas CNN.
“E vlerësoj qëndrimin tuaj të vendosur se Autoriteti Palestinez nuk mund të ketë asnjë rol në Gaza – pa kaluar në një transformim radikal dhe të vërtetë”, i tha Netanyahu presidentit të SHBA-së Donald Trump gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, në Shtëpinë e Bardhë.
“Nuk do t’ju vijë si surprizë që shumica dërrmuese e izraelitëve nuk kanë besim se “leopardi” i AP-së mund të ndryshojë njollat e tij”, tha Netanyahu.
“Por, në vend që të prisni për këtë transformim të mrekullueshëm, plani juaj ofron një rrugë praktike dhe realiste për Gazën në vitet e ardhshme, në të cilat Gaza nuk do të drejtohet – as nga Hamasi dhe as nga Autoriteti Palestinez – por nga ata që janë të përkushtuar për një paqe të vërtetë me Izraelin”, shtoi ai.
Plani i paqes i propozuar nga SHBA-ja, kërkon një organ të përkohshem për të qeverisur Gazën, ndërsa Autoriteti Palestinez përfundon “programin e reformave.
“Ndërsa rindërtimi i Gazës përparon dhe kur programi i reformës së AP-së të zbatohet me besnikëri, kushtet më në fund mund të jenë arritur – për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze, të cilën ne e njohim si aspiratë të popullit palestinez”, tha ai.
Plani 20-pikësh përjashton përfshirjen e Hamasit në qeverisjen e ardhshme të Gazës. //a.i/