KOPENHAGË – Danimarka: Incidentet me dronë përfaqësojnë një realitet të ri

KOPENHAGË, 29 shtator /ATSH-DPA/ – Pas disa paralajmërimeve për dronë në Danimarkë, qeveria në Kopenhagen tha sot se po përballet me një realitet të ri.
Që nga e enjtja, nuk ka pasur ndërprerje të rëndësishme të trafikut ajror në Danimarkë, tha ministri i Drejtësisë, Peter Hummelgaard, në një konferencë për shtyp.
Megjithatë, ai shtoi se, fatkeqësisht, duhet të mësohemi me një realitet të ri ku edhe vende të tjera evropiane, përfshirë Gjermaninë, po përjetojnë incidente të ngjashme me dronë.
Hummelgaard foli për “luftën hibride” me të cilën po përballen. Ashtu siç kërcënimi terrorist u bë pjesë e realitetit pas sulmeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 11 shtator 2001, ai tha se sulmet hibride janë bërë pjesë e realitetit të ri.
Danimarka ka qenë në gjendje paralajmërimi për dronë prej rreth një jave. Fillimisht, shfaqja e disa dronëve më të mëdhenj një javë më parë çoi në mbylljen për disa orë të aeroportit kryesor të Kopenhagenit.
Të mërkurën në mbrëmje, dronët u shfaqën sërish mbi disa aeroporte të tjera në perëndim të vendit të NATO-s, duke çuar në mbylljen e hapësirës ajrore mbi aeroportin e Aalborgut.
Që atëherë, janë vërejtur qindra dronë dhe u janë raportuar autoriteteve në të gjithë vendin, edhe pse këto nuk kanë pasur pasoja të mëdha.
“Kush qëndron pas këtyre incidenteve mbetet i paqartë”, tha sot ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, në konferencë për shtyp.
Përfshirja e mundshme e Rusisë nuk është përjashtuar, megjithëse Kremlini ka hedhur poshtë këto akuza si “të pabaza”. /Ad.Ab./