NJU JORK – UNRWA: Bllokada e ndihmës nga Izraeli po çon Gazën drejt krizës ushqimore

NJU JORK, 25 prill /ATSH-DPA/ – Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), ka thënë se nuk është në gjendje të shpërndajë furnizime thelbësore ushqimore në Rripin e Gazës, për shkak të bllokadës së vazhdueshme izraelite për ndihmën humanitare për Gazën.
“Ndihma dhe furnizimet humanitare nuk kanë hyrë në Rripin e Gazës për më shumë se 50 ditë tani… kur autoritetet izraelite vendosën një rrethim”, tha agjencia në një deklaratë të lëshuar dje.
“Si rezultat, furnizimet kritike humanitare, duke përfshirë ushqimin, karburantin e ndihmës mjekësore dhe vaksinat për fëmijët, po shterohen me shpejtësi”, tha ajo.
Agjencia theksoi se furnizimet e saj me miell kanë mbaruar dhe kanë mbetur vetëm 250 pako ushqimore, që përmbajnë oriz, thjerrëza, fasule, vaj, kripë, sheqer, pluhur qumështi, humus, hallvë, maja dhe peshk të konservuar, të krijuara për të përmbushur nevojat e një familjeje prej pesë anëtarësh për dy javë.
Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA, Philippe Lazzarini, deklaroi të martën se gati 3 000 kamionë janë gati për të ofruar ndihma të rëndësishme humanitare në Gaza.
”Megjithatë, ushtria izraelite ka bllokuar të gjitha dërgesat e mallrave në rajon që nga 2 marsi”, sipas UNRWA.
“Uria po përhapet dhe thellohet, e qëllimshme dhe e krijuar nga njeriu”, shkroi Lazzarini në X/ /i.s/