TURQI – Pasgoditjet vijojnë të tronditin Stambollin pas tërmetit

STAMBOLL, 25 prill /ATSH-DPA/ – Stambolli vazhdoi të tronditet nga një seri pasgoditjesh sot, dy ditë pasi u godit nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,2 ballë Rihter që plagosi më shumë se 200 njerëz.
”Një seri lëkundjesh deri në magnitudë 4,5 ballë u regjistruan pak jashtë qytetit mëngjesin e ditës së sotshme”, njoftoi agjencia AFAD.
Shumë njerëz kishin zgjedhur të kalonin natën përsëri jashtë, mes frikës se Stambolli mund të goditet nga një tjetër tërmet i fuqishëm, raportojnë mediat turke.
Disa ekspertë të cituar në mediat turke kanë parashikuar një magnitudë 7,7 ballë.
Pavarësisht paralajmërimeve prej dekadash për një tërmet të madh nga ekspertët, Stambolli, me popullsinë e tij prej rreth 16 milionë banorësh, nuk konsiderohet i sigurt nga tërmetet.
Tërmeti i së mërkurës u regjistrua nga AFAD pak para orës 13:00 (10:00 GMT), me epiqendrën e vendosur në Detin Marmara pak jashtë qytetit.
Kanë pasuar një numër pasgoditjesh me përmasa nga 4 deri në 5 ballë.
Më shumë se 100 000 njerëz ishin strehuar në strehimore emergjente deri dje, ndërsa të tjerët po largoheshin nga qyteti, duke fjetur në makina, duke kampuar jashtë ose thjesht duke vazhduar me rutinat e tyre të përditshme./ /i.s/