NVM-të më shumë mbështetje për financim, digjitalizim dhe rritje, hapet konsultimi për strategjinë 2026-2030

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hapur për konsultim publik Dokumentin Politik për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) 2026-2030, një paketë strategjike që parashikon 3 shtylla kryesore zhvillimi, 11 objektiva specifike dhe 25 masa prioritare për transformimin e sektorit deri në vitin 2030.
Dokumenti synon të rrisë produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e NVM-ve, të cilat përbëjnë bazën e ekonomisë shqiptare, duke i orientuar drejt inovacionit, digjitalizimit dhe integrimit më të thelluar në tregjet europiane dhe globale.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ndërhyrjet e parashikuara nuk janë të fragmentuara, por ndërtojnë një qasje të integruar ku zhvillimi i kapaciteteve të bizneseve, përmirësimi i mjedisit operacional dhe forcimi i qasjes në financim trajtohen si pjesë e një sistemi të vetëm politikash.
Tri shtyllat kryesore të dokumentit përfshijnë: forcimin e kapaciteteve të NVM-ve, përmirësimin e klimës së biznesit dhe mjedisit rregullator, si dhe zgjerimin e qasjes në financa dhe instrumente mbështetëse për investime dhe rritje.
Në këtë kuadër, 25 masat prioritare të dokumentit përqendrohen në disa fusha kyçe të zhvillimit të sektorit. Ato përfshijnë rritjen e aftësive sipërmarrëse dhe kapitalit njerëzor, nxitjen e inovacionit dhe ekonomisë së dijes, përshpejtimin e transformimit digjital dhe aplikimin e teknologjive të Industrisë 4.0, si dhe përmirësimin e standardeve dhe certifikimeve sipas kërkesave të Bashkimit Europian.
Masat parashikojnë gjithashtu mbështetje për kalimin në ekonomi të gjelbër dhe ekonominë qarkulluese, lehtësimin e qasjes në financim dhe instrumente alternative financiare, forcimin e edukimit financiar të sipërmarrësve, si dhe zhvillimin e mekanizmave për ristrukturimin dhe rimëkëmbjen e bizneseve.
Dokumenti synon gjithashtu të forcojë ndërkombëtarizimin e NVM-ve, përmes zgjerimit të qasjes në tregje dhe integrimit më të madh në zinxhirët europianë të vlerës.
Strategjia 2026-2030 është në përputhje me prioritetet e procesit të integrimit europian dhe kërkesat e Kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe politikat industriale”, si dhe me objektivat e Bashkimit Europian për NVM-të dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Procesi i konsultimit publik, sipas ministrisë, synon përfshirjen e biznesit, institucioneve publike, akademisë dhe partnerëve zhvillimorë, me qëllim finalizimin e një dokumenti gjithëpërfshirës dhe të zbatueshëm në terren.
Zbatimi i dokumentit do të koordinohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me institucionet e linjës dhe agjencitë përkatëse, ndërsa efekti financiar i parashikuar arrin në rreth 32,7 milionë lekë, të mbuluara nga buxhetet institucionale dhe partnerët zhvillimorë.
Dokumenti do të shërbejë si kornizë kryesore për zhvillimin e sektorit të NVM-ve deri në vitin 2030, me synim rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë shtyllën kryesore të ekonomisë shqiptare, duke zënë rreth 99% të totalit të bizneseve aktive në vend. Ato sjellin mbi 80% të punësimit dhe mbajnë një peshë të konsiderueshme në krijimin e vlerës së shtuar në ekonomi. Për këtë arsye, NVM-të konsiderohen si motori kryesor i rritjes ekonomike, zhvillimit të sipërmarrjes dhe stabilitetit social, duke luajtur një rol thelbësor në zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës në Shqipëri.
/r.e/