NYT: SHBA-ja planifikon të reduktojë numrin e avionëve dhe anijeve luftarake të NATO-s në Evropë

NJU JORK, 12 qershor /ATSH/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë planifikuar të reduktojnë ndjeshëm, numrin e avionëve dhe anijeve luftarake në dispozicion për operacionet e NATO-s në Evropë, raportoi sot “New York Times” duke cituar dy zyrtarë të lartë evropianë.
Sipas planit, SHBA-ja planifikon të tërheqë një të tretën e avionëve luftarakë që i siguron NATO-s për Evropën.
Vendimi do të kufizonte aftësinë e Aleancës, për të nisur sulme me rreze të gjatë veprimi dhe për të kryer mbikëqyrje, thuhet në raport.
Plani i SHBA-së, përfshin uljen e numrit të avionëve luftarakë F-16 dhe F-15E nga afërsisht 150 në 100, uljen e avionëve të zbulimit detar nga 26 në 15 dhe heqjen e të tetë avionëve cisternë ajrorë të furnizimit me karburant.
SHBA-ja synon gjithashtu të ripozicionojnë një nëndetëse, që lëshon raketa dhe një aeroplanmbajtëse, së bashku me disa anije luftarake dhe dhjetëra avionë shoqërues.
Komanda Evropiane e SHBA-së, tha në një deklaratë javën e kaluar, se do të shpërndante në mënyrë të drejtë kontributet brenda NATO-s, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Administrata e Donald Trump ka akuzuar vazhdimisht qeveritë evropiane për investime të pamjaftueshme në ushtritë e tyre, ndërsa iu ka kërkuar të gjithë anëtarëve të Aleancës të rrisin shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% të PBB-së. / /a.i/