BERLIN – Merz i dërgon Trump letër urimi për 80-vjetorin dhe përgatit dhuratë personale në G7

BERLIN, 12 qershor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz i ka dërguar presidentit amerikan Donald Trump një letër të shkruar me dorë, për ta uruar për 80-vjetorin e lindjes, e cila do t’i dorëzohet Shtëpisë së Bardhë përmes një korrieri.
Sipas të njëjtave burime, Merz pritet gjithashtu t’i dorëzojë personalisht, një dhuratë presidentit amerikan gjatë samitit të G7, që do të zhvillohet të hënën në qytetin francez Evian, pranë Liqenit të Gjenevës. Përmbajtja e dhuratës ende nuk është bërë publike.
Trump do të festojë 80-vjetorin të dielën në Uashington, para Shtëpisë së Bardhë, në një event me shumë të ftuar dhe aktivitete festive.
Më pas, ai do të udhëtojë drejt Francës, për të marrë pjesë në samitin e G7, ku të hënën në mbrëmje pritet të takohet me Merz dhe liderët e tjerë, të vendeve të demokracive perëndimore të zhvilluara ekonomikisht.
Në vizitën e tij të parë, pothuajse një vit më parë, Merz i solli Trump, një kopje të certifikatës së lindjes së gjyshit të tij nga fshati Kallstadt, në rajonin gjerman Pfalz, si dhe një shkop golfi si dhuratë simbolike.
Në mars, kancelari gjerman i dhuroi gjithashtu, një kopje të një traktati miqësie dhe tregtie mes SHBA-së dhe Prusisë të vitit 1785, gjatë vizitës së tij të tretë në Uashington që prej marrjes së detyrës.
Raportet mes Merz dhe Trump nisën mirë vitin e kaluar, por së fundmi janë ftohur pas kritikave të ashpra të kancelarit gjerman, lidhur me luftën në Iran.
Si pasojë, presidenti amerikan njoftoi tërheqjen e 5 000 trupave amerikane nga Gjermania.
Një takim dypalësh mes dy liderëve në kuadër të samitit të G7 ende nuk është konfirmuar. / /a.i/