E Diel, 1 Nëntor 2026

BOTËRORI 2026 – Shakira dhe BTS në finale, FIFA sjell për herë të parë spektakël muzikor

TIRANË, 12 qershor /ATSH/- Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, finalja e Botërorit 2026 do të shoqërohet me një spektakël muzikor gjatë pushimit mes dy pjesëve, në një format të ngjashëm me shfaqjen e famshme të Super Bowl-it, sipas medias amerikane “TIME”.

Finalja do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin “MetLife” të Nju Xhersit dhe pritet të ndiqet nga një audiencë rekord globale.

FIFA synon që eventi të shërbejë jo vetëm si kulmi i turneut, por edhe si një platformë për promovimin e fondit arsimor “Fondi i FIFA-s për Edukimin Global të Qytetarëve”.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e ka cilësuar shfaqjen, si një moment historik për Kupën e Botës dhe një spektakël të denjë për ngjarjen më të madhe sportive në botë.

Programi artistik është kuruar nga Chris Martin, ndërsa në skenë do të ngjiten emra të njohur të muzikës botërore.

Mes tyre spikat Shakira, e cila rikthehet edhe një herë, në një event madhor të futbollit pas suksesit të hit-it “Waka Waka” në Botërorin 2010.

Këngëtarja kolumbiane do të interpretojë së bashku me Burna Boy, me të cilin ka realizuar himnin zyrtare të këtij Botërori, “Dai Dai”.

Në spektakël do të marrin pjesë gjithashtu grupi koreano-jugor BTS, legjenda e muzikës pop Madonna dhe trupa e vallëzimit “Ghetto Kids” nga Uganda.

Të ardhurat e krijuara nga himni zyrtar dhe aktivitetet e lidhura me spektaklin do të mbështesin programet arsimore dhe projektet e futbollit për fëmijët, në më shumë se 200 vende të botës.

FIFA dhe organizata “Global Citizen” synojnë të mbledhin 100 milionë dollarë për këtë nismë.

Organizatorët kanë lënë të kuptohet, se gjatë mbrëmjes do të ketë edhe surpriza të tjera, ndërsa nuk është konfirmuar ende nëse vetë Chris Martin do të ngjitet në skenë gjatë finales së madhe të Botërorit 2026. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›