Nancy VanHorn takon Presidentin, e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë mbi një orë bisedë me Begajn

Një ditë pasi Këshilli i Ministrave njoftoi Presidentin Begaj për vakancat në gjashtë bashki të vendit, përfshirë dhe Tiranën, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri Nancy VanHorn iu drejtua zyrës së kreut të shtetit.
Në takimin i cili zgjati më shumë se një orë, si nga Presidenca ashtu dhe nga Ambasada amerikane nuk u dhanë detaje se çfarë është diskutuar mes tyre, megjithatë, ky takim vjen në një kohë kur Begajn e pret në tavolinën e zyrës së tij, shkresa e qeverisë që kërkon një datë për zgjedhjet e pjesshme lokale.
Tashmë, kreu i shtetit Bajram Begaj ka kohë deri të enjten për të shpallur dekretin.
Megjithatë, mbetet ende në pikëpyetje fakti nëse qytetarët e Tiranës do t’i drejtohen kutive të votimit, për shkak se Erion Veliaj ka bërë ankimim në Gjykatën Kushtetuese duke kundërshtuar shkarkimin e tij nga Këshilli i Ministrave.
Datat që përkojnë me afatet për zgjedhjet e pjesshme janë 2, 9 dhe 16 nëntor dhe kjo zgjedhje do të bëhet nga vetë presidenti Begaj, ku më pas, partitë politike duhet të përgatiten për fushatën elektorale.
Tashmë Partia Socialiste ka bërë me dije emrin e Ogerta Manastirliut si kandidate për kryebashkiake në Tiranë, ndërsa nga radhët e opozitës ende nuk ka një emër që do të garojë kundër saj.