Nata Nostalgjike e Fest 64, Eneda Tarifa rikthehet me një duet special: Do ishte nder ta prezantojë një ditë Festivalin e Këngës

Këngëtarja e njohur Eneda Tarifa rikthehet këtë vit në Fest 64 të RTSH, duke sjellë një surprizë për adhuruesit e muzikës shqiptare në Natën Nostalgjike. Ajo do të performojë një duet me një nga këngëtarët pjesëmarrës në garë, duke interpretuar këngën e njohur “Vajzat e fshatit tim”.
Në emisionin “Në kohë reale” në RTSH, Eneda shprehet se kjo natë do të jetë shumë e veçantë, jo vetëm si një festë e muzikës, por edhe si një moment nostalgjie për publikun.
“Këngët e nostalgjisë pëlqehen shumë dhe sot është një festë, jo vetëm një festival në kuadër të konkursit,” tha ajo.
Këngëtarja shtoi se pavarësisht angazhimeve të shumta dhe axhendës së ngarkuar të artistëve, ky rikthim në skenë është një kënaqësi e veçantë dhe një nder i madh. Eneda gjithashtu u shpreh se pas përfundimit të këtij festivali, nuk e përjashton mundësinë e një rikthimi në garë në vitet në vijim, duke lënë kështu një surprizë për fansat e saj.
Ajo madje shprehu dëshirën që të mund të prezantonte festivalin e Këngës në RTSH në të ardhmen.
“Kur të shkoj 70 vjeç do e mbyll garën me festivalin. Kam disa plane dhe mbase rikthehem dhe vitin tjetër ende nuk e di. Po shpreh një dëshirë time të madhe për të prezantuar festivalin. Do ishte nder, kënaqësi dhe emocion i veçantë po të prezantoj festivalin”, tha ajo.
Fest 64 do të shoqërohet edhe me surpriza të tjera për publikun, duke e bërë Natën Nostalgjike një nga momentet më të pritura të festivalit.
/rtsh.al/